Argjentinasi Lionel Messi ka fituar për të pestën herë çmimin FIFA Ballon d’Or. FIFA ka mbyllur kështu në Zyrih, të Zvicrës, ceremoninë për ndarjen e çmimeve për arritjet më të mira në futboll gjatë vitit të kaluar. Zyrtarisht, kjo ceremoni, e cila njihet si FIFA Ballon d’Or, nisi edicionin e parë të saj në vitin 2010, kur FIFA dhe revista prestigjoze franceze France Football bashkuan në një të vetëm aktivitetet e tyre të përvitshme: FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit në Botë dhe France Football Ballon d’Or.

Për vitin 2014, çmimin FIFA Ballon d’Or e fitoi Cristiano Ronaldo.

Çmimi FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit në Botë filloi të jepej në vitin 1991, ku fituesi i parë ishte Zinedine Zidane (Francë) dhe pushoi së ekzistuari në vitin 2009, ku fituesi i fundit ishte Lionel Messi (Argjentinë). Rekordin për fitimin e këtij çmimi e mbajnë Zidane dhe Ronaldo Luis Nazario de Lima (Brazil), të cilët e kanë marrë nga tri herë secili.

Revista franceze France Football nisi dhënien e çmimit France Football Ballon d’Or në vitin 1959 dhe i fundit ishte në vitin 2009. Çmimi i jepej një lojtari, i cili patjetër duhet të luante në Evropë, ndonëse ai mund edhe të mos ishte nga një vend evropian. Rekordin për fitimin e këtij çmimi e mbajnë Michel Platini (Francë), Johan Cruyff (Holandë) dhe Marco van Basten (Holandë), të cilët e kanë marrë nga tri herë secili.

Çmimet

  • FIFA Lojtari më i mirë i vitit 2015 – Ballon d’Or: Lionel Messi (Argjentinë)
  • FIFA Lojtarja më e mirë e vitit 2015: Carli Lloyd (SHBA)
  • FIFA Trajneri më i mirë i vitit 2015: Luis Enrique (Spanjë)
  • FIFA Trajnerja më e mirë e vitit 2015: Ellis Jill (SHBA)
  • FIFA World XI 2015: Neuer, Alves, Marcelo, Ramos, Thiago Silva, Iniesta, Modric, Pogba, Ronaldo, Messi, Neymar
  • FIFA Çmimi Fair Play 2015: Organizatat e futbollit që ndihmojnë refugjatët
  • FIFA Goli më i bukur i vitit 2015: Wendell Lira (Brazil)