Brazil, 3 korrik 2014 – FIFA ka reaguar pas veprimit të futbollistin të kombëtares Braziliane Neymar, i cili në përfundim të ndeshjes Brazil – Meksikë, shkëmbeu bluzën me një nga kundërshtarët dhe gjatë kohës që po pushonte, pantallonat i kishte pak të ulura, nga ku dalloheshin të brendshmet e tij.

Pikërisht për këtë detaj në dukje të parëndësishëm, FIFA është nevrikosur me Neymar, jo më shumë për gjestin e “paturpshëm” sesa për faktin se futbollisti ka thyer pikën 33 të të ashtuquajturit Ligji Gjeneral i Kupës së Botës.

Ky ligj dënon kompanitë që nuk janë sponsorë gjeneralë të Botërorit por që gjithsesi ia dalin t’i bëjnë vetes reklamë.

Ekspertët e FIFA vlerësojnë se Neymar ka nxjerrë qëllimisht një pjesë të mbathjeve të tij "Blue Man" me qëllim që të shfaqen në publik përmes transmetimit live në gjithë botën në fund të ndeshjes dhe të përfitonte shuma të mëdha parash, deri miliona dollarë.

Sipas mediave braziliane, FIFA ka nisur një procedim kundrejt ndërmarrjes e cila nga ana e saj ka mohuar se veprimi i Neymar të ketë qenë i planifikuar dhe se gjithçka ka qenë e rastësishme.

Momentalisht kjo çështje është ende e hapur, ndërsa Neymar duket se ka vendosur të jetë protagonist i mediave ndërkombëtare, pak rëndësi ka, nëse për futboll ose jo. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/