11 mars 2015 – Fifa i ka përcaktuar tashmë datat e Botërorit të vitit 2022 që do të zhvillohet në Katar edhe pse ato nuk janë miratuar ende nga Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit Botëror, por diçka e tillë pritet të ndodhë javën e ardhshme.
Kampionati Botëror i vitit 2022 do të jetë i pari që do të zhvillohet në dimër, kjo për shkak të temperaturave shumë të larta që regjistrohen gjatë verës në Katar. Kompeticioni sipas të gjitha gjasave do të nisë në datën 18 nëntor dhe do të përfundojë në 18 ndjetor të vitit 2022. Ky lloj kalendari prek të gjitha kompeticionet që zhvillohen në nivel klubesh gjatë kësaj periudhe dhe për të bërë të mundur zhvillimin e Kupës së Botës, Katar 2022 të gjitha kampionatet kombëtare do të ndërpriten për një periudhë 2-mujore. Ekipet që do të marrin pjesë në Botëror do të kenë nevojë për futbollistët e tyre disa javë përpara fillimit të eventit dhe në këtë mënyrë Fifa ka vendosur që grumbullimet e skuadrave përfaqësuese të bëhen në datën 1 nëntor, pra 18 ditë përpara startit të Botërorit. Por që diçka të tillë të ndodhë, Fifa duhet të bindë klubet për të lënë të lirë futbollistët e tyre për rreth dy muaj. Edhe pse zyrtarët më të lartë të Fifas kanë deklaruar se qeveria e futbollit Botëror nuk do të derdhë në arkat e klubeve shuma marramëndëse që këto të fundit t'i sheshin të drejtat e lojtarëve të tyre, sipas asaj që raportojnë mediat Fifa do të derdhë në arkat e klubeve si dëmshpërblim treshifin e shumës që u akordoi atyre për Botërorin e Brazilit. Pra për të blerë të drejtat e futbollistëve për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Katar qeveria e futbollit Botëror do t'u paguajë klubeve 185 milionë Euro, ndërkohë që për Botërorin e Brazilit u mjaftua me vetëm 63 milionë Euro.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





