FIFA, organi që qeveris lojën e futbollit, ka njoftuar shkarkimin nga detyra të sekretarit të përgjithshëm Jerome Valcke, pas dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga ana e tij. Më herët, një komision hetimor kishte konkluduar se Valcke kishte shkelur Kodin e Etikës së FIFA, duke lejuar shitjen në tregun e zi të biletave të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit 2014. Që prej vitit 2007, Valcke ka qenë krahu i djathtë i Sepp Blatter në drejtimin e FIFA.

Vitin e kaluar, autoritetet amerikane njoftuan akuzat për korrupsion për 39 drejtues të ndryshëm të FIFA, përfshirë edhe presidentin Blatter. Ndërkohë, në Zvicër, Blatter hetohet për korrupsion, lidhur me një pagesë prej 1,8 miljonë euro për zëvëndëspresidentin Michel Platini. Të dy këta janë pezulluar për tetë vjet nga pjesëmarrja në çdo lloj organizmi futbollistik.

Më 26 shkurt, në Zyrih të Zvicrës do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA, për të zgjedhur presidentin e ri dhe organet e tjera drejtuese. Kandidatët për postin e presidentit të FIFA janë Princi Ali Al-Hussein, Sheikh Salman Bin Ebrahim Al-Khalifa, Jerome Champagne, Gianni Infantino dhe Tokyo Sexwale.