Një tjetër barrë financiare për Tiranën. Klubi bardheblu detyrohet nga FIFA që t’i paguajë klubit grek Panathinaikos plot 120 mijë euro për aktivizimin e Ilir Kastratit. Mesfushori i transferua te bardheblutë nga klubi grek në akademitë e të cilit ishte rritur futbollistikisht në 2013-n. Rregullorja e FIFA-s parashikon që klubet që aktivizojnë për herë të parë si profesionist një lojtar, i cili është transferuar nga akademia e një klubi tjetër duhet t’i paguajnë klubit mëmë një shumë për formimin e futbollistit.

Ilir Kastrati kishte qëndruar për 4 vjet tek të rinjtë e Panathinaikos, tek Tirana u aktivizua vetëm 12 minuta, por për FIFA-n kjo nuk përbën ndonjë ndryshim të madh, kështu që Tirana duhet t’i paguajë klubit grek nga 30 mijë euro për çdo vit që futbollisti ka qëndruar tek ta, në total 120 mijë euro.

FIFA ka paralajmëruar dy herë deri më tani Tiranën për shlyerjen e kësaj shume që i shtohet detyrimeve  të mëparshme të klubit ndaj personave të tretë, të cilat janë duke u shqyrtuar nga administrata aktuale, si pasojë e një tjetër rasti të keqmenaxhuar, pasi me shumë mundësi në klubin bardheblu në atë kohë nuk kanë qenë në dijeni të rregullit të FIFA-s.