Arabia Saudite është vendosur të jetë mikpritëse e Kupës së Botës FIFA 2034, ndërsa për vitin 2030, turneu do të zhvillohet nga një ofertë e përbashkët e Marokut, Spanjës dhe Portugalisë, me disa ndeshje që do të luhen në Amerikën e Jugut. 

Ky vendim do të zyrtarizohet të mërkurën pasdite pas kongresit virtual të FIFA-s, ku votimi është më shumë formalitet, pasi asnjë nga ofertat nuk ka rival.

Për Kupën e Botës 2034, FIFA zbatoi parimin e rotacionit midis kontinenteve, duke hapur procesin e kandidimit vetëm për Azinë dhe Oqeaninë. 

Australia dhe Indonezia u tërhoqën shpejt nga procesi, duke lënë Arabinë Saudite si kandidatin e vetëm.

Ky zhvillim vjen pas turneut të parë me 48 skuadra që do të mbahet në Amerikën e Veriut në vitin 2026. 

Për Arabinë Saudite, ky është një tjetër hap në strategjinë e saj për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar përmes sportit, një praktikë që shpesh kritikohet si “sportswashing” për të larguar vëmendjen nga shkeljet e të drejtave të njeriut në vend. 

Arabia Saudite tashmë organizon disa ngjarje të profilit të lartë, përfshirë Formula 1 dhe gara të boksit të peshave të rënda.

Ndërkohë, turneu i vitit 2030 do të shënojë 100-vjetorin e organizimit të Kupës së parë të Botës, e cila u mbajt në Uruguaj në vitin 1930. 

Si pjesë e këtij përvjetori historik, oferta e përbashkët e Marokut, Spanjës dhe Portugalisë do të përfshijë edhe ndeshje që do të zhvillohen në Amerikën e Jugut. 

Konkretisht, Uruguaji, Argjentina dhe Paraguaji do të jenë pritës të një ndeshjeje secila, duke simbolizuar fillimin e historisë së turneut më prestigjioz të futbollit botëror.

Kjo është hera e parë që Kupa e Botës do të zhvillohet në tre kontinente të ndryshme, duke përfaqësuar një moment historik për FIFA-n dhe futbollin global.