30 maj 2015 – Amerikanët godasin sërish me një paralajmërim që bën të dridhet karrigja, ku Sepp Blatter pritet të qëndrojë i ulur edhe për 4 vite të tjera. Richard Weber, një nga hetuesit kryesorë federalë, deklaroi për New York Times se mund të ketë të tjera arrestime, në lidhje me skandalin e fundit të korrupsionit që ka tronditur FIFA-n. Për momentin janë 14 zyrtarë dhe ish zyrtarë që akuzohen si të përfshirë prej vitesh në një skemë korrupsioni, por për Weber, ka dyshime të forta se në këtë rrjet janë të implikuar edhe persona të tjerë.Hetuesi amerikan, i cili sqaroi se fokusi nuk është që të goditet futbolli por korrupsioni si fenomen, në fakt nuk dha emra konkretë për personat që dyshohen si të përfshirë, megjithatë Sepp Blatter me të drejtë duhet të ndihet i shqetësuar. Nga të ndaluarit e deritanishëm, disa prej tyre janë bashkëpunëtorë të ngushtë të zviceranit, i cili edhe pse e shikon lakun t’i ngushtohet dita-ditës, sërish gjen forcën të lëshojë deklarata kërcënuese. Në një prononcim për mediat e vendit të tij, zvicerani tha se ka një fushatë urrejtjeje të orkestruar nga UEFA, ai e di mirë se cilët janë dhe i fal të gjithë, por nuk mund të harrojë.
Agjencia e lajmeve "Dyrrah"