"Psikopatja jote" bashkëpunimi i Fifit me Mc Kreshën, është një ndër këngët më të pëlqyera në "Kënga Magjike" dhe ka arritur rreth 2.5 milionë klikime në më pak se 1 javë. Të ftuar në "Mirage", dy këngëtarët treguan gjithçka për krijimin e këngës dhe kuptimin e saj, pasi nuk kanë munguar edhe komentet negative përsa i përket titullit të këngës.

“Kur kam nisur të shkruaj këtë këngë kam qenë në një fazë tepër palidhje, atë fazë ku nuk e di nëse je dashuruar apo thjesht po të pëlqen, apo të është fiksuar në kokë. Për këtë janë dhe rreshtat e parë. Më pas është zhvilluar. Kënga nuk bie në kontradiktë me veten. Sepse secila femër, nuk po flas për meshkujt se nuk e di si reagojnë ata në këtë rast, por nuk ka femër në botë që nuk e kontrollon burrin, nuk ka femër në botë që nuk i shkon pas, nuk ka femër në botë që nuk i kontrollon telefonin, ku po shkon dhe që nuk ja dërgon shoqet duke i thënë “shihe se ka dalë ky”. Nuk ka femër që nuk menduar të paktën një herë në jetë “A e dua këtë njeri apo është thjesht duke më pëlqyer," tha Fifi.

Për këtë pjesë, Mc Kresha ka thënë që çdo artist krijon në bazë të asaj që ndjen dhe më pas e përshtat. Kënga ka të bëjë me dashurinë dhe dyshimin, dhe rrjedhimisht çdo moment mund të konsiderohet edhe si mani. “Edhe psikopatia është një mani.”– ka shpjeguar ai.