18 dhjetor 2014 –Shoqata e Lojtarëve Profesionistë, FIFPro paralajmëron gjithë anëtarët e saj të tregohen të kujdesshëm nëse nënshkruajnë me klubet serbe pasi rrezikojnë të mos paguhen prej tyre. Sipas informacioneve të grumbulluara nga kjo organizatë, 8 nga 16 klubet e Katëgorisë Superiore i kanë llogaritë të bllokuara nga Banka Kombëtare e Serbisë dhe në këtë mënyrë nuk kanë mundësi reale për ë paguar lojtarët apo punonjësit e tyre. "Nuk më pëlqen ta bëj një gjë të tillë por detyra jonë kryesore është që të dalim në mbrojtje të lojtarëve të cilët nuk paguhen prej muajsh për shkak të problemeve të mëdha financiare. Klubet janë në prag të greminës financiare", shprehet sekretari i përgjithshëm i FIFPro, Theo Van Seggelen.
Ai shtoi gjithashtu se një klub madje ka lejuar grupet ekstremiste të tifozerisë të kërcënojnë lojtarët. Nga ana tjetër, presidenti i organizatës dha detaje më interesante në lidhje me këtë situatë, duke theksuar se në të ardhmen disa klube serbe mund të shpallin falimentin, ndërsa lojtarët e Radnicki Kragujevac janë kërcënuar nga tifozët në dhomat e zhveshjes pasi ata nuk pranuan të dilnin në fushën e lojës pasi nuk paguhen që prej tre muajsh.
"Vuk Sotirovic, i cili është edhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në kampionatin serb është goditur në fytyrë ndërsa tentoi të dialogonte me tifozët që po kërcënonin lojtarët", thekson FIFPro. Muajt e fundit, futbolli serb është përfshirë nga situata të tensionuara dhe të paqarta për shkak të problemeve financiare të Cervena Zvezdas por edhe për shkak të dhunës në derbin e Beogradit mes dy tifozerive.





