Policia e Shtetit vijon operacionin e koduar “Fijet” për çmontimin e kamerave të sigurisë në ambiente publike të vendosura pa leje dhe që kontrollohen nga kontigjentë kriminalë.

Në kuadër të fazës së 12-të të operacionit, u çmontuan dhe u sekuestruan 20 kamera të tjera në qarqet Shkodër, Korçë dhe Fier. 8 persona u vunë nën hetim për cënim të privatësisë dhe për të dokumentuar ligjërisht qëllimin përse ata i kishin instaluar këto kamera.

Në rang kombëtar, shkon në 528 numri i kamerave të çmontuara dhe 109 numri i shtetasve në hetim.

-Në Shkodër, në vende me frekuentim të lartë publik, në lagjet “10 korriku”, “Ndoc Mazi” dhe “Guerrile”, janë çmontuar 10 kamera të instaluara në kundërshtim me ligjet e vendit. Për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e vendosjes së tyre, janë iniciuar hetimet për shtetasit R. Z. dhe A. B. Në këtë qark, numri i kamerave të çmontuara deri më tani, është 89.

-Në qytetet Maliq, Bilisht dhe Pogradec, janë çmontuar në total 7 kamera dhe janë iniciuar hetimet për shtetasit E. D., A. B. dhe S. H. dhe N. Ll. Shtetasi N. Ll. (babai i shtetasit E. Ll., të shpallur në kërkim për vrasje) është përsëritës për montimin e kamerave në kundërshtim me ligjet e vendit. Më parë, janë çmontuar 10 kamera të cilat dyshohet se kontrolloheshin nga shtetasi N. Ll. Në total, deri më tani, në Korçë, janë çmontuar 61 kamera dhe janë iniciuar hetimet për 24 shtetas.

-Në Lushnjë, janë çmontuar 3 kamera të tjera të instaluara në kundërshtim me ligjet e vendit dhe janë iniciuar hetimet për shtetasit Sh.(S). K. dhe A. K. Në këtë qark, numri i kamerave të çmontuara deri më tani, është 23 dhe numri i shtetasve për të cilët janë iniciuar hetimet, është 7.