“Për momentin nuk mund të flasë për çështjen”. Ky është reagimi i vetëm deri më tani i Saimir Tahirit pas arrestimit në Elbasan të 25-vjeçarit Orest Sota.
Atij iu gjetën në makinë rreth 860 mijë euro cash, si dhe patenta për drejtim të mjeteve lundruese në emër të ish-ministrit të Brendshëm dhe bashkëshortes së tij. Heshtja e Saimir Tahirit, por edhe deklaratat e para të Orest Sotës, djalit të një biznesmeni të njohur nga Vlora, e rëndojnë më shumë pozitën e ish-ministrit të Brendshëm.
Sota ka thënë në polici se paratë i kishte me vete pasi do të blente hekur te kompania ‘Kurum’, por kjo nuk ngjan të jetë e besueshme pasi transaksione të tilla nuk bëhen asnjëherë me para cash, por kalojnë përmes bankës. Nuk është e besueshme gjithashtu as deklarata e tij se nuk e njeh Saimir Tahirin, ndërkohë në sistemin TIMS figuron se ata kanë udhëtuar disa herë së bashku me njëri-tjetrin jashtë shtetit.
Ky fakt është administruar në dosjen hetimore të Prokurorisë së Elbasanit dhe nga ana tjetër rrëzon një tjetër pretendim të Orest Sotës, se patentat e skafit në emër të Saimir Tahirit ishin harruar në makinën e tij nga shoferi i ish-Ministrit të Brendshëm. Dosja me përgjime e Habilajve e publikuar disa javë më parë, e bën të vështirë të besohen të gjitha këto rastësi që implikojnë Saimir Tahirin.
Sidoqoftë duhen pritur hetimet e Prokurorisë. Orest Sota figuron në Qendrën Kombëtare të Biznesit të ketë në pronësi kompaninë “Eco construction and partners”, e regjistruar në vitin 2015. E vetmja punë e saj është rikonstruksioni i komisariatit Nr.6 të policisë. Është komisariati që mbulon zonën e ‘Kombinatit’, zonën elektorale të Saimir Tahirit. Arrestimi i Orest Sotës u krye më datë 1 nëntor 2017, por policia e mbajti të fshehtë ngjarjen. Lulzim Basha tha se kjo ndodhi me urdhër të Edi Ramës.
Më pas në reagimin e policisë nuk u përmend patenta e Saimir Tahirit dhe as shuma e gjetur e parave. Sot 25-vjeçari doli para Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë, që iu caktua ‘arrest me burg’. Kjo ngjarje rëndon akoma më shumë pozitat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ‘trafik droge’ dhe ‘korrupsion të zyrtarëve të lartë’. /Lapsi.al





