Për dy orë me radhë efektivët e zjarrfikësve të Durrësit dhe Autoritetit Portual kanë luftuar me flakët që përfshinë një zonë me bimësi të ulët në Shkëmbin e Kavajës.

Flakët u përhapën në një sipërfaqe të gjerë për shkak edhe të temperaturave shumë të larta të ditës së sotme.

“Dy mjete të Drejtorisë së Shërbimit të MZSH-së Durrës dhe APD u angazhuan rreth 120 minuta për neutralizimin e vatrave të zjarrit, deri në fikjen e tyre”,– bën të ditur drejtori i këtij shërbimi, Adriatik Velaj.

Temperaturat e nxehta të kësaj jave, sidomos të ditës së sotme që parashikohej të arrinin deri në 40 gradë Celsius, shtojnë rrezikun e rënies së zjarreve.

Një ditë më parë, Shërbimi Meteologjik Ushtarak e klasifikonte qarkun e Durrësit me rrezik të moderuar për rënien e zjarrit gjatë kësaj jave që konsiderohet deri më tani më e nxehta e kësaj vere. Vetëm nga fundjava i nxehti afrikan do të nisë të largohet nga vendi ynë.