EDMOND TUPJA

4tetor 2015 – Fjalori i gjuhës shqipe (Ti ranë, 2006) i mëson çdokujt që ka sy dhe, natyrisht, dëshirë për të shfletuar fjalorët, se fjala “fiks” ka tri kuptime: 1. si mbiemër “i palëvizshëm, i pandryshueshëm”; 2. si ndajfolje “mu në kohën e caktuar” 3. si pjesëz “pikërisht”.

Dhe meqë në fjalorin e sipërpërmendur ka shumë fjalë e shprehje të cilat, dashur pa dashur, përputhen plotësisht apo pjesërisht edhe me aktualitetin politik në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, po i lejoj vetes t’i paraqes lexuesit tim të vëmendshëm e të kulturuar përsiatjet e mëposhtme: Në kuptimin e parë të fjalës “fiks”, duhet pranuar se kur politikanët tanë vijnë në pushtet, atyre u duket vetja mbret, domethënë të palëvizshëm nga posti që marrin, a thua se e kanë marrë me tapi karrigen apo, më saktë, kolltukun që u ka rënë për pjesë.

Çorba politike, që sot hedh valë e valle në vendin tonë, tregon se jo çdo gjë po shkon vaj për partitë, sidomos, kryesisht e veçanërisht për partinë tënde kur je në pushtet (Sa për kujtesë pushtetarëve të sotëm të majtë: A nuk theksonte xhaxha Lenini se “është më lehtë ta marrësh pushtetin sesa ta mbash?”).

E pra, kur, çorba politike nis e derdhet nga vorba po aq politike, historia të bën atë që s’ta pret mendja: t’i mpreh shqisat, sidomos atë të nuhatjes që ti të ftillohesh e ta kuptosh më në fund se kur çorba jote qelbet e derdhet duke përhapur një erë të neveritshme edhe përtej kufijve shtetërorë, është më mirë të lëvizësh e të largohesh nga pushteti dhe t’ia lësh vorbën e pushtetit dikujt tjetër.

T’ia lësh vorbën e pushtetit dikujt tjetër “mu në kohën e caktuar”, “pikërisht” tani sa nuk është vonë, siç ta tregon kuptimi i dytë dhe ai i tretë i fjalës “fiks”. Siç ta sugjeron pikërisht edhe i famshmi raport (sekret?) i OSBE-së. Fiks, fiks fare. Si tek emisioni i mirënjohur i “Top Channel”-it. Sigurisht, që këtë ta sugjerojnë, haptas apo tërthorazi edhe disa analistë në mediat e shkruara, por edhe në ato elektronike, të cilët guxojnë e thonë se ndoshta do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme ose ndonjë zgjidhje tjetër në mënyrë që ajo erë cofëtine që po përhapet me shpejtësinë e një vorbulle apo orteku dëbore poshtë e lart, majtas e djathtas, para e prapa, rrezikon të na marrë frymën e të nga asfiksojë (Ah, ja ku na doli sërish fjala “fiks”!), sepse kështu ndodh kur pushteti kthehet në fiksim të vazhdueshëm (O Zot, ç’fjalë e tmerrshme në gjuhën shqipe: pusht…et!).

Fjalori i lartpërmendur sqaron gjithashtu se fjala “iks” ka dy kuptime: 1. “shkronjë e alfabetit latin (x), që përdoret në matematikë për të shënuar një madhësi të panjohur ose të ndryshueshme në varësi nga një tjetër, p.sh. iksi dhe ipsiloni; 2. dikush a diçka që nuk e njohim ose që nuk mund a nuk duam ta përcaktojmë saktë, p.sh. iks njeri…” Jemi kështu te fjala “iks”, por fjalori përmend edhe fjalën “ipsilon”, shkronjë e alfabetit grek, në shembullin “iksi dhe ipsiloni”. Ç’koincidencë e bukur: iksi dhe ipsiloni në pushtet! Cilët na qenkan këta sot në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike? Askush tjetër përveçse kryetarit të legjislativit dhe kryetarit të ekzekutivit, të përmendur që të dy në të famshmin raport (sekret?) të OSBE-së! Ah, ky i mallkuar Fjalor i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), ku të lë ai të mos i përcaktosh saktë njerëzit, sidomos ata që qëndrojnë sot (e mot?) hijerëndë në majë të piramidës (fikut?) të shtetit shqiptar!

Mbërrijmë së fundi te termi i tretë i titullit të këtij shkrimi: “ik” me gjithë pikëçuditësen nga prapa. Në këtë pikë, lexuesi im i zgjuar, i cili, pa pikë dyshimi, di fort mirë të lexojë midis rreshtave, e ka kuptuar tashmë që butë-butë, por jo pa ngut, po piqen kushtet, siç flitet edhe nëpër popull, që dikush, Iksi, të largohet nga pushteti në mënyrë që dikush tjetër, Ipsiloni, të lajë duart si Ponc Pilati. Apo që Iksi të largohet nga pushteti duke… duke hequr këmbën zvarrë për… për… për Ipsilonin?

/panorama/