Fiku i detit është një bimë frutore tradicionale me emrin botanik Opuntiaficus-indica që i përket familjes së kaktusit. Fiku i detit që të huajt e njohin si “dardha me gjemba” është edhe frut edhe perime. Gjethet e gjelbra e të mëdha që përdoren në gatime për shkak të përmbajtjes së ulët të kalorive konsiderohen si perime. Ndërkohë që kokrrat që çel bima konsiderohen frut. I gjithë fiku është i pasur me shumë vlera ushqimore. Në Shqipëri, fiku i detit është rritur kryesisht në gjendje të egër, por gjithashtu kultivohet sidomos në zonat plot diell dhe ngrohtësi të vendit. Periudha e fund gushtit dhe shtatorit nxjerr në treg sasi jo të vogla të këtij fruti, që tregtohet me çmimin 100-150 lekë për kilogram për produktin e vendit, ndërkohë gjenden edhe fiq deti të importuar sidomos prodhim nga Afrika Veriore që tregtohen me çmim shumë më të lartë që kap edhe 600 lekë për kilogram.

Përfito nga vetitë e këtij fruti

Lufton inflamacionin

Fruti është në gjendje të luftojë inflamacionin në muskuj, arterie, traktin gastrointestinal dhe sistemin kardiovaskular. Për më tepër, pjesa frutore e bimës është në gjendje të shërojë dhimbjet tek njerëzit që vuajnë nga infeksionet në fshikëzën e urinës dhe gurët në tëmth. Fruti përmban flavonoidë që luftojnë radikalet e lira dhe neutralizojnë molekulat që shkaktojnë dëme tek qelizat. Shumë studime të ndryshme kanë nxjerrë në pah vetitë anti-inflamatore të këtij druri frutor dhe kokrrave të tij, sidomos kundër ulçerës.

Fuqizon sistemin imunitar

Substancat e shumta të këtij druri frutor ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Studime tek kafshët kanë treguar që shumë prej këtyre substancave ngadalësojnë ritmet e rritjes së tumoreve.

Antioksidantët

Fiku i egër është i pasur me antioksidantë të njohur si betalina të cilët ngadalësojnë plakjen e parakohshme, forcojnë qelizat e shëndetshme dhe ndihmojnë me detoksifikimin e organizmit.

Lufton kolesterolin

Sasia e lartë e fibrës së tretshme lufton kolesterolin e keq dhe parandalon rritjen e tij në nivele të dëmshme. Fiku i detit përmban pektinë, dhe shumë element të tjerë që janë aktivë në uljen e kolesterolit të keq dhe ruajnë yndyrnat e shëndetshme ose kolesterolin e mirë.

Lufton diabetin

“Fiqtë me gjemba” janë të dobishme për njerëzit që vuajnë nga sëmundja e diabetit që nuk varet nga insulin. Studimet kanë nxjerrë në pah që substancat dhe ushqyesit e fikut të detit ulin dhe ekuilibrojnë tensionin e gjakut, por edhe sheqerin në gjak duke frenuar mëlçinë të çlirojë glukozë në gjak. Fiku i detit përmban pektinë fibroze që zbut simptomat e diabetit dhe nevojën për insulinë. Fibra e patretshme gjithashtu ul nevojën për të ngrënë gjithë kohës duke qenë se ju jep ndjesinë e ngopjes.

Përmirëson tretjen

Fibra tek fiku i detit përmirëson funksionet e aparatit tretës siç janë përthithja e lëngjeve të tepërta dhe përshpejtimi i lëvizjes së zorrëve. Kjo fibër minimizon dhe ngadalëson qelizat kancerogjene në zorrën e trashë të cilat kanë fuqinë të rriten dhe zhvillohen shpejt.

Ushqyesit

Fiku i detit është i pasur me minerale dhe vitamina siç janë vitamina A, C, K, B6, riboflavina dhe kalciumi.

Ushqim me pak kalori

Fiku i detit ka një përmbajtje të lartë të amino acideve, mineraleve dhe vitaminave. Ai konsiderohet një ushqim me pak kalori e rrjedhimisht plot vlera për ata që duan të bien në peshë. Kokrrat e bimës me gjemba përmbajnë 17 amino acide, 8 prej të cilave janë thelbësore. Ato japin shumë energji dhe nuk shkaktojnë shumë lodhje. 100 gramë gjethe të freskëta të bimës së fikut të detit kanë vetëm 16 kalori.

Ndihmon prostatën

Përbërësit e fikut të detit kanë vlera në trajtimin e një sëmundje të njohur si benign prostatic hyperplasia (BPH). Ekstraktet e fikut të detit bllokojnë enzimat që janë përgjegjëse për uljen e niveleve të testosteronit.

Mbrojnë neuronet

Kërcejtë, gjethet dhe frutat e fikut të detit përmbajnë një sërë substancash dhe antioksidantësh që janë të fuqishme për mbrojtjen e nervave. Rrjedhimisht ato mbrojnë qelizat e trurit nga dëmet e ndryshme./AgroWeb