Nga Dritan Hila

Për ata që ndjekin sadopak politikën ndërkombëtare, nuk është nevoja të hapin Google-n për të parë se Viktoria Nuland, është femra e fortë e Departamentit të Shtetit. Është autorja e katrahurës ukrainase dhe e afiluar ideologjikisht me republikanët. Mbahen mend telefonatat e saj pa doreza të publikuara nga shërbimet sekrete ruse ku çonte në djall BE-në dhe politikat e saj ndaj Ukrainës dhe Rusisë.

Por kjo nuk do të thotë që ta marrim me sy të keq ne në Shqipëri. Situata këtu është një gropë antiseptike ku vetëm flakëhedhësja mbaron punë. Mbase duhet një si Nuland që të tërheqë fijet e duhura që të zhbllokojë situatën.

Le të bëjmë një skanim. Nga kampi i PD-së ka një sërë pengesa që fillojnë nga frika reale që drejtësia shkon në duart e kundërshtarëve që të përdoret në lojën politike dhe deri te dënimet reale që mund të marrin eksponentët e kësaj force. Sali Berisha ka nxjerrë sebepin e kuotave, ndërkohë që kjo është nga kërkesat absurde të tij, pasi një opozitë sot nuk është e thënë të jetë nesër e tillë, dhe mund të marrë gjithë tortën, ashtu siç shtrohet pyetja se pse është kaq i sigurt që PD-ja do të ekzistojë për një kohë të gjatë. Vendet të rezervuara opozitës, jo vetëm dëmtojnë sistemin e drejtësisë, por edhe e kalçifikojnë atë dhe ndihmojnë PD-në të jetë faktor politik, këtë radhë edhe me ligj, pavarësisht se ndoshta në të ardhmen nuk e votojnë.

Berisha është ndër përgjegjësit kryesorë të gjendjes ku është shtylla e tretë e shtetit, dhe nuk mund të pritet që ai ta shërojë atë. Kërkesat e tij për të drejta ndaj opozitës, ndërkohë që është ai që nuk ka respektuar asnjë marrëveshje xhentëlmenësh kur ka qenë në pushtet (zgjedhja e presidentit është një shembull i gjallë), nuk janë gjë tjetër veçse pozicionim i tij për një ruajtje të statusquo-së.

Nga krahu tjetër, ngjan se Edi Rama është në pasivitet dhe ja ka lënë në dorë Ambasadorit Lu të operojë. Por ata që janë në sistemin e drejtësisë e dinë se Fatmir Xhafa ka gati listat e emërimeve të njerëzve të rreshtuar politikisht me të, çka do të thotë zgjatje e lëngatës. Ndërkohë edhe kjo maxhorancë ka probleme të mëdha me drejtësinë. Por ajo që ju jep shpresë është qenia në pushtet. Atyre iu duhet kjo reformë për të zhbllokuar situatën aktuale kur e kanë të pamundur të ndërhyjnë në sistem edhe për një vit, por ndoshta edhe më pas, meqenëse duket se nuk do ta kenë as presidentin e ardhshëm.

I duhet Ramës për luftën politike, pasi përdorimi i shpatës së prokurorisë dhe gjykatave është e vetmja për të rrudhur dhe trembur aleatin e tij, Ilir Metën. I cili nga ana e tij i ka të gjitha gjasat të jetë gjahu i preferuar, pasi aleatët e tij në qeveri po punojnë fort ashtu si në të shkuarën, t’i shkurtojnë ditët dhe hapin dyert e burgut.

Dhe së fundmi Rama mendon se duke qenë në pushtet do të ketë mundësi më të mëdha për të ndikuar në përzgjedhjen e trupës së drejtësisë edhe sikur vetingun ta bëjnë të huajt, për faktin e thjeshtë se do të jetë ai që do ti bëjë dosjet dhe ashtu si gjithmonë ndërkombëtarët do të përdoren si justifikim.

Ajo që mund të jetë zgjidhja reale, nuk vjen nga një mekanizëm i sistemit. Këtu fajin e ka politika, por ajo nuk mund të zëvendësohet nga gjykata. Duhet që politika të vetëkorrigjohet dhe pastrohet, duhet që shqiptarëve t’iu krijohen kushtet të piqen politikisht, të korrigjojnë veten duke prodhuar dhe votuar oferta të reja politike. Kërkohet një liberalizim i sistemit politik, ndryshim i ligjit dhe kodit zgjedhor, i sistemit elektoral, në mënyrë që të iki kjo klasë politike. E bën dot këtë Nuland? Iu vë dot minat këtyre që janë këtu? Nëse jo, nëse nuk ka ardhur të hedhë në erë këtë kastë, por të bjerë në batakun e varianteve të reformave që kotecet e PD-së dhe PS-së pjellin nga një në ditë, atëherë ka kapur fillin e gabuar. /dritare.net