Në Myzeqe tronditen themelet e një shtëpie, por fatmirësisht s’pati viktima dhe dëme

TIRANË, 11 nëntor 2013 – Menjëherë sapo ka mbaruar e diela, Shqipëria gdhihet e goditur nga tri lëkundje të lehta toke, duke filluar nga zona malore e Beratit, në vazhdim në skajin juglindor të vendit në Korçë dhe zbresin në perëndim, në Myzeqe, në zonë të banuar, në afërsi të Fierit.

Berat

Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar lëkundje toke me magnitudë 2,5, me epiqendër në thellësinë 2 km ora 23:54:22 e 10 nëntorit 2013 ose ora 0:54:22 e 11 nëntorit 2013 (koha e Shqipërisë +1 GMT). Sipas departamentit të sizmologjisë dukuria tektonike ka ndodhur në fshatin Tërpan të rrethit të Beratit, në koordinatat 40.58°V, 20.04°L. Më saktësisht, tërmeti ka rënë në fshatin Teman të komunës së Tërpanit, që ka në përbërje fshatrat Çorrogjaf, Dodovec, Lugas, Paraspuar, Plashnik i Madh, Rehovë,Teman, Tërpan, Tozhar, Vokopolë, Zhapokikë, Zhitom i Madh, Zhitom i Vogël).

Korçë

42 minuta më vonë, ora: 00:36:01 ose ora 1:36:01 e 11 nëntorit 2013 (koha e Shqipërisë +1 GMT), u regjistrua një tërmet me forcë M=2.6 dhe me epiqendër në thellësinë 2 km. Sipas departamentit të sizmologjisë së Tiranës, dukuria tektonike ka ndodhur në fshatin Nikollarë të rrethit të Korçës në koordinatat 40.68°V, 20.38°L. Më saktë, ngjarja simike është lokalizuar në jug të fshatit Moglicë të komunës me të njëjtin emër, që ka në përbërje fshatrat Moglicë, Gopesh, Dobërçan, Maliq-Opar, Gurkuq, Bardhas, Zerec, Dushar, Totovec, Shpatmal, Lumaj, Peshtan, Protopapë, Osoje, Gurshqipe, Kuçakë, Nikollarë.  

Fier

Nëse dy tërmetet e para kanë rënë në male, në rastin e tretë, lëkundjet e tokës janë ndier në një zonë fushore me dendësi të madhe popullsie. Rrjeti sizmologjik shqiptar thotë se tërmeti që ka rënë ora 6:56:10 GMT ose ora 7:56:10 të 11 nëntorit 2013 (koha e Shqipërisë +1 GMT), ka pasur një forcë M=2.6, me epiqendër në thellësinë 6 km. Sipas departamentit të sizmologjisë së Tiranës, dukuria tektonike është vërejtur në fshatin Radostinë, që ndodhet 5 km në vijë ajrore në perëndim të qytetit të Fierit, në koordinatat 40.73°V, 19.51°L (shih etiketën në hartën nr. 1, ngjyra e kuqe dhe hartën nr. 2, pika e kuqe). Parë me satelit (shih foton, shigjeta e gjelbër) ngjarja sizmike ka rënë brenda në fshatin Radostinë të komunës së Dermenasit të rrethit të Fierit, në një shtëpi. Kjo komunë ka në përbërje fshatrat Dermenas, Pojan, Krygjatë, Havaleas, Hoxharë,Radostinë, Sulaj, Hamil, Muçaj, Baltëz, Povelçë, Darëzezë e Re. Ndërkaq, nuk ka njoftime zyrtare për viktima  apo dëme materiale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/