Nga Henri Çili

Pa asnjë kompleks Edi Rama ka futur në koalicionin opozitar edhe të paktën katër parti enveriste. Kështu, si me të qeshur, ashtu si jo aq seriozisht, ashtu si pa të keq, enveristët janë ulur këmbëkryq në tryezën e koalicionit, pak nga pak nëpër studiot televizive: 360 gradët e Zhejit në ‘News24’ i karfosën paksa me zogistët dhe ja MAPO Weekend ndërton këtë herë një feature me “enveristët në Rilindje”.

Kjo nuk kishte ndodhur më parë në jetën tonë politike; në asnjë koalicion, asnjëherë Partia Socialiste apo parti të tjera të së majtës nuk kishin kooperuar politikisht me partitë ekstremiste apo enveristët e mbetur. Në ethet e takticizmit elektoral, por sidomos i djegur nga precedenti Hysni Milloshi në zgjedhjet lokale të Tiranës, Edi Rama ka pranuar të shfrytëzojë edhe këtë mundësi në trenin elektoral.

Mirëpo, pavarësisht nga rrethanat, përfundimi është i njëjtë; enverizmi, 22 vjet pas përmbysjes së monumentit të Enver Hoxhës ka rifituar legjitimitetin publik dhe atë politik në Shqipërinë e dekadës së tretë të pluralizmit, që po i afrohet Bashkimit Europian apo që është në rrugën e të bërit vend i zhvilluar.

Nuk është ky një akt i shkëputur. Akademiku kosovar, Rexhep Qosja ka filluar pak e nga pak të legjitimojë periudhën enveriste në Shqipëri; enverizmin si patriotizëm e shqiptarizëm, e kështu me radhë.

Libri tashmë i famshëm i Blendi Fevziut, “Enver Hoxha” u shit në më shumë se 50 mijë kopje dhe jo rastësisht kjo atmosferë nuk mund të lihej e shkëputur nga momenti kur Edi Rama është ndjerë i kompleksuar që të pranojë si partnerë në koalicion enveristët e organizuar si të tillë në parti politike.

Shumëkujt, legjitimimi i kthimit të enverizmit në jetën politike mund t’i duket ekzotik, i këndshëm, pa qeder; pse jo një penelatë më shumë në fushatën plot ngjyra e mizanskena të Edi Ramës. Ka të ngjarë që legjitimimi i enveristëve në jetën politike të mund të jetë preludi i ndonjë monumenti të Enver Hoxhës aty-këtu. Të apeleve për shëndetësi falas si në kohën e Enverit, e kështu me radhë.

Legjitimimi i enverizmit në jetën politike nuk është dhe nuk do të mbetet një akt pa domethënie në të ardhmen e afërt. Jo se jemi të rrezikuar nga enverizmi, por jo se mund të mbetemi pa pasoja gjithashtu.

http://mapo.al/2013/06/08/fillimet-e-legalizimit-te-enverizmit/