TIRANË, 24 dhjetor 2013 –Policia e Shtetit bën me dije se kanë filluar aplikimet për Shkollën e policisë. “Të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, mund të aplikojnë pranë të gjithë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarit deri më datë 28.02.2014 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Policie në Qark.”- bëhet me dije nga Policia e Shtetit. 
KRITERET 
Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë:Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë.Të ketë zotësi për të vepruar.Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.Të ketë mbaruar shkollën e mesme.Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor.Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil. 
DOKUMENTACIONI 
Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici: Formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. 
Fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi. 
Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme. 
Dëshmi penaliteti. 
Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. 

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit. 
Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe do t’u japin të gjithë aplikantëve informacionin e nevojshëm për procesin e testimit si: shembuj pyetjesh, udhëzimet e testimit me shkrim, si dhe sqarime mbi mënyrën e plotësimit të fletës së skantronit. Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit dhe Menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën [email protected]