Kompania norvegjeze “Norwegian Air” ka njoftuar se do të nisë fluturimet drejt New York-ut, Los Angeles (nga nëntori) dhe San Franciskos (nga shkurti)…
Për në New York dhe Los Angeles fluturimet nisin në nëntor, për në San Francisko në shkurt. Pas muajsh pritje në Itali do të vendosen fluturimet ndërkontinentale “low cost” drejt Shteteve të Bashkuara nga aeroporti i Fiumicino-s në Romë. Lajmin e dha Bjørn Kjos, administratori i kompanisë norvegjeze, e cila është kompania e tretë europiane që operon me kosto të ulët, sipas numrit të pasagjerëve (deri në 30 milionë në 2016-n), shkruan “Corriere”.
Datat e fluturimeve
115 mijë bileta janë në shitje nga 31 maji, shpjegon shoqëria norvegjeze (Norwegian Air) e cila nga 5 qershori nis udhëtimet ndërkontinentale nga Barcelona. Fluturimet dy me drejtime do të ofrohen nga aeroporti i Romës, Fiumicino. Nga 9 nëntori operatori do të mundësojë fluturime direkte nga Roma drejt Nju Jorkut, dhe çmimi i biletës do të nisë nga 179 euro dhe fluturime drejt Los Anxhelos me çmim bilete që do të fillojë nga 199 euro, ku janë të përfshira dhe taksat. Kalendari i fluturimeve përfshin katër fluturime në javë drejt New York-ut dhe 2 fluturime drejt Los Anxhelos, ndërsa pritet që më vendosjen e avionit të dytë në fluturim, do të udhëtohet gjashtë herë drejt New York-ut dhe 3 herë drejt Los Anxhelos. Për sa i përket fluturimeve drejt San Franciskos, fillimisht do të fluturohet dy herë në javë.
Sfidë e re
“Jemi vërtet të lumtur që të shpallim fluturimet e para të gjata nga Roma drejt tre qyteteve amerikane,- tha Bjørn Kjos. Me fillimin e këtyre fluturimeve shkon në 51 numri i fluturimeve të drejtpërdrejta në Shtetet e Bashkuara nga aeroportete europiane, dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi përsëri lajme të tilla.” Me këtë njoftim, kompania norvegjeze i shtohet listës së problemeve të Alitalias e cila vetëm një ditë më parë deklaroi se do të shtonte linjat e fluturimit në drejtim të Shteteve të Bashkuara.
Fluturimet e gjata nga Roma do të kryhen nga avionët Boeing 787-8 Dreamliner, i cili ka një kapacitet prej 291 vende (32 klasi Premium dhe 259 klasi ekonomik). /Monitor/