13 tetor 2015 – Ka startuar procesi gjyqësor në ngarkim të dy motrave Kajtazi në Gjykatën e Rrethit Durrës. Procesi gjyqësor drejtohet nga relatori Fejzo Hysi, i cili në mungesë të motrave në sallë ka kërkuar shtyrjen e seancës me dy javë.
2 motrat Orialda dhe Klevisa Kajtazi akuzohen për “vjedhje në bashkëpunim” dhe “shkatërrim i pronës me zjarr”, pasi në 16 korrik të këtij viti helmuan prindërit dhe motrën e madhe, u arratisën nga banesa e tyre, pasi kishin vjedhur kursimet e familjes dhe i kishin vënë zjarrin shtëpisë së prindërve. “Asnjë prej vajzave nuk ishte prezente në gjykatë, as avokatja e tyre mbrojtëse”, bëri me dije relatori i çështjes Fejzo Hysi. Vetëm prindërit ishin të pranishëm si dëgjues, ndërkohë që fletëthirrjet në gjykatë ishin firmosur që vajzat ishin lajmëruar. Në kushte të tilla, në mungesë të vajzave seanca u shty për dy javë të tjera.
Sipas babait të motrave Kajtazi, Muhametit, vajza e vogël Klevisa nuk është lajmëruar nga punonjësit socialë për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, ndërsa vajza më e madhe Orialda ishte duke pritur avokaten mbrojtëse dhe vonesa erdhi për shkak të trafikut. Nga prindërit mësohet se edhe vajza e vogël Klevisa e cila është takuar me motrën 18-vjeçare Orialdën pas daljes nga burgu të saj, ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me familjen. Madje bëhet me dije se 14-vjeçarja Klevisa ka bërë kërkesë për prishjen e vendimit të urdhrit të mbrojtjes, dhënë nga gjykata për 6 muaj, pasi është bindur nga motra 18-vjeçare.
Sipas prindërve, që nuk i kanë braktisur për asnjë çast vajzat pavarësisht rebelimit të tyre, ka një neglizhencë të madhe nga shërbimi social dhe punonjëset, të cilat nuk denjojnë as të mundësojnë kontaktin telefonik midis dy motrave të vogla Orialdës dhe Klevisës.
“Ka dy javë që Orialda, e cila është e vetmja në familje që mund të kontaktojë me Klevisën, nuk i bëhet i mundur kontakti. Vajza e vogël kur u takua me Orialdën i tha që dëshironte të kthehej në shtëpi. Ka bërë kërkesë në gjykatë, por nuk lejohet të kontaktojnë motrat”, tha babai.
Vajzat u arratisën për një muaj, ndërsa të dy prindërit për asnjë moment nuk i braktisën ato, madje u qëndruan afër duke i mbështetur në seancat gjyqësore, deri në lirimin e 18-vjeçares nga burgu, ku përfundoi me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Orialda 18-vjeçare u lirua nga Gjykata e Apelit, pasi u kërkoi falje prindërve, shfaqi pendesë të thellë në gjykatë, dhe kërkoi të fillonte shkollën, pasi në burg rrezikonte vitin shkollor. Dy motrat Kajtazi u kthyen në dy adoleshentet më të famshme në Shqipëri, pas një sërë aventurash shumë të rrezikshme që ndërmorën.
/K.H. portali DurresLajm/