Kandidati konservator për presidencialet franceze, Francois Fillon nuk do të tërhiqet nga gara edhe pse ka marrë një fletëthirrje që e njoftoi se ai do të hetohet për akuzat se ka paguar bashkëshorten e tij për një punë fiktive më shumë se 900 mijë euro.
“I takon elektoratit francez te vendose nëse është korrekte që unë të garoj, apo jo”, ka deklaruar Fillon.
Kandidati presidencial, i cili gëzon imunitetin nga parlamenti, tha se do t’i përgjigjet gjykatësve në datën 15 mars, ndërsa mohoi se ka abuzuar me fondet publike. Ai e cilësoi nisjen e hetimit si një përpjekje për të “ekzekutuar zgjedhjet presidenciale”
Ndërkohë Fillon, anuloi më herët një nga aktivitetet e fushatës së tij, për të cilën nuk dha asnjë arsye.
Sipas një gazete franceze që ka udhëhequr investigimin, Fillon, kandidati i qendrës së djathtë për presidencialet, ka abuzuar me fondet publike nga të cilat ka paguar të shoqen, Penelope Fillon me paga të konsiderueshme për pozicionin e asistentes personale.
Sipas gazetës, Penelope, nuk e ka kryer kurrë këtë punë. Ajo madje nuk është paraqitur asnjëherë në zyrën e të shoqit në parlamentin francez, dhe njihet si një shtëpiake e devotshme e cila pothuajse nuk ka punuar kurrë në jetën e saj.