Magjia e Kampionatit Europian, fillon këtë mbrëmje duke nisur nga ora 21:00. Në Mynih, Gjermania pritëse e turneut sfidon Skocinë.

Pas eliminimit në fazën e grupeve në dy nga tre turnetë e fundit të mëdhenj, Gjermania do të shpresojë të aneksoj Kupën e Botës 2006, ku të besuarit e Jürgen Klinsmann arritën deri në gjysmëfinale.

Në Europianin e shtëpisë, “pancerat” kërkojnë kupën e katërt për të vendosur një rekord.

Julian Nagelsmann nuk pati fillimet më të mira pasi zëvendësoi Hansi Flick si trajner vitin e kaluar, por fitoret kundër Francës dhe Holandës në mars lanë të kuptohet për një të ardhme më të ndritshme nën drejtimin e trajnerit 36-vjeçar.

Fitorja në Mynih sigurisht që do të rriste shpresat për një turne emocionues.

“Është hera e dytë që Gjermania pret një Kampionat Europian. Për lojtarët dhe për veten time si trajner, të marrë pjesë në një turne në shtëpi është një mundësi unike. Ka presion, por më shumë gëzim nëse mund ta shohim atë gëzim në fushë, atëherë do të kemi një turne të mrekullueshëm”, tha trajner i Gjermanisë, Julian Nagelsmann.

Shpresat janë sigurisht të mëdha në kampin e Skocisë pas një fushate të bujshme kualifikuese që përfshinte fitore ndaj Spanjës, tri herë fituese e Europianit, Norvegjisë dhe Gjeorgjisë.

Trajneri që udhëhoqi ishullorët drejt Europian, Steve Clarke ka ndërtuar një skuadër të vendosur dhe ka zhvilluar një sistem që nxjerr në pah më të mirët si kapiteni i Aston Villa, John McGinn dhe mesfushori i Manchester United, Scott McTominay, i cili shënoi shtatë gola në tetë paraqitje në kualifikuese.

A mund të shkaktojë skuadra e Clarke një tjetër tërmet në Grupin A? Mbetet të shihet…

Kanë kaluar njëzet e pesë vjet që kur Skocia shijoi fitoren e fundit kundër Gjermanisë me golin e Don Hutchison në Bremen.

“Gjermania do të jetë shumë e fortë. Është turneu i tyre në shtëpi dhe ata nuk do të duan të zhgënjejnë askënd. Kur shkon në skenën e madhe, kombëtarja gjermane është gjithmonë një nga ekipet më të rrezikshme. Ne presim një lojë të vështirë, por shpresojmë se edhe ne mund t’ia bëjmë ndeshjen të vështirë Gjermanisë”, tha Steve Clarke, trajneri i Skocisë.

Formacionet e mundshme:

Gjermani: Neuer; Kimmich, Rüdiger, Tah, Mittelstädt; Andrich, Kroos; Musiala, Gündoğan, Wirtz; Havertz

Skocia: Gunn; Ralston, Porteous, Hendry, Tierney, Robertson; McTominay, Gilmour, McGregor, McGinn; Adams