Filmi i ri “Snow White”, një ripërpunim i filmit klasik të animuar të Disney-t, ka shkaktuar shumë reagime negative, përfshirë kritikën ndaj aktorëve dhe cilësisë së përgjithshme të produksionit. Ky film, që synon të sjellë një version modern të përrallës, është bërë objekt i shumë komenteve dhe reagimeve të ashpra nga publiku.

Një nga arsyet kryesore për këtë urrejtje është aktorja kryesore, Rachel Zegler, e cila luan rolin e Snow White. Kritikët kanë pasur shqetësime për komentet që ajo bëri kur tha se personazhet si Borëbardha bëhen për kënaqësinë e perspektivës mashkullore dhe se këto figura tradicionale duhet të përfshihen në një mënyrë më të gjithanshme dhe moderne. Ky lloj komentimi nuk u prit mirë nga fansat e origjinalit, që preferojnë një qëndrim më të ruajtur ndaj trashëgimisë kulturore të Disney-t.

Për më tepër, ka reagime për pamjen e Rachel Zegler në rolin e Borëbardhës. Disa kanë komentuar se ajo nuk i përshtatet pamjes së personazhit të origjinalit. Në përrallën klasike, elemente të rëndësishme janë flokët e zeza pis, buzët e kuqe flakë dhe lëkura borë e bardhë, që është dhe fjalë për fjalë emri i personazhit, por Zegler ka një pamje të ndryshme nga kjo.

Edhe Gal Gadot, e cila luan rolin e Shtrigës, është kritikuar për performancën e saj në film. Pavarësisht se është një aktore e njohur, shumë kanë shprehur dyshime për aftësitë e saj aktoriale dhe e kanë kritikuar edhe për aktrim të dobët në role të tjera.

Përveç kritikave ndaj aktorëve, filmi është kritikuar gjithashtu për cilësinë e tij. Ka pasur ankesa për efektet speciale dhe realizimin vizual, të cilat janë konsideruar si të pamjaftueshme për një projekt kaq të madh. Shumë përdorues të internetit kanë shprehur mendimin se filmi ka pamje të cunguara dhe një ndjesi të përgjithshme të papërfunduar, duke mos arritur të mbajë nivelin e pritshmërive të publikut. Disa madje janë të mendimit se Disney nuk ka dashur vetë të realizojë një film të mirë.