16 shkurt 2015 – Filmi “Taksi” i kineastit disident Iranian Xhafar Panahi është fitues i Ariut të Artë të edicionit të 65 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Berlinale”. Vetë regjisori 54 – vjeçar nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Autoritetet iraniane ia kanë ndaluar daljen jashtë vendit. Por çmimi iu dorëzua mbesës së tij të vogël Hana. Filmi fokusohet tek realiteti shtypës në shoqërinë iraniane.
Gjithçka pasqyrohet përmes lëvizjeve të një shoferi taksie, pasagjerët e të cilit tregojnë realitetin në kryeqytetin iranian. Regjisori e realizoi në fshehtësi, pasi prej 20 – vitesh, atij nuk i lejohet të marrë pjesë në xhirime filmash. Pablo Lorrain me filmin “Klubi” mori çmimin e madh të jurisë, i konsideruar si Ariu i dytë i Artë. Filmi i tij bazohet në një ngjarje ku tregohet se si Kisha Katolike u bë strehë për 4 priftërinj pedofilë. Dy “arinj të argjendtë” u dhanë për regjisorët më të mirë. Njëri shkoi për rumunin Radu Jude me filmin “Aferim”. Ndërsa tjetri për polaken Malgorzata Szumovska me filmin “Trupi”.Në këtë edicion, pjesë e prodhimeve kinematografike ishte edhe filmi “Burrneshat”, me regji të Laura Bispurit. Fimi bazohet në librin e Elvira Donesit për virgjëreshat e betuara, që sipas zakonit të vjetër, vajzat e pamartuara shndërrohen në burra. I vetmi çmim i marrë nga një film shqiptar në Berlinale është ai i Ariut të Argjendtë për skenarin e filmit “Falja e Gjakut”.





