Filmi shqiptar rinis udhëtimin për t’u përhapur në ekranet e huaja edhe në kohë pandemie. Ditën e djeshme, falë iniciativave të Arkivit Qendror Shtetëror të filmit “Tomka dhe shokët e tij”  i restauruar është shfaqur në ekranin prestigjioz Amerikan, “Turner Classic Movies TCM”.

Drejtorja e Arkivit Iris Elezi bën me dije se gjatë këtij aktiviteti është vlerësuar edhe puna e regjisores Xhanfise Keko.

TCM përzgjodhi Xhanfise Kekon si ‘Regjisorja e javës’. Të festojmë së bashku fuqinë e kinemasë dhe restaurimit, që u mundësua nga Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) dhe Biblioteka e Kongresit Amerikan”, shprehet ajo.

Filmi “Tomka dhe shokët e tij” i restauruar nga Biblioteka e Kongresit Amerikan u realizua në vitin 1977, në Kinostudion “Shqipëria e re”. Si një nga filmat shqiptar më të suksesshëm për fëmijë, skenari i tij është shkruar nga shkrimtari Nasho Jorgaqi. Ndërsa muzika është kompozuar nga Aleksandër Lalo, dhe dirigjuar nga mjeshtri Ferdinand Deda.

Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.