Uniformat blu kanë ndaluar shoferin e ambulancës së morgut, i cili akuzohet se ka filmuar me celular trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit, për t’ua dërguar mediave me qëllim që ta shpërndanin.
Sipas policisë, 62-vjeçari me iniciale A. I., është ndaluar për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.
“Shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”, raporton policia.
Kujtojmë që trupi i recepsionistit, 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi u gjet paraditen e së premtes (7 Qershor) në një gurore në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.
Viktima u vra në një nga dhomat e stafit në hotelin Greccia në Dhërmi, ku punonte si recepsionist nga Gerald Shehu, i cili ishte bashkëpronar me vjehrrën e tij.
Pasi e qëlloi me pistoletë pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor), 43-vjeçari Gerald Shehu dyshohet se me ndihmën e dy punonjësve të tjerë Daniel Qose, 34 vjeç dhe David Larti 31 vjeç, e transportoi trupin e pajetë nga dhoma në makinën e tij tip Audi, ku edhe më pasi e hodhi pranë gurores.





