Një oficere policie që po bënte dush në shtëpinë e saj, filmohet me celular nga një kalimtar i rastit dhe më pas ai e kërcënon duke i kërkuar 500 euro, osë në të kundërt pamjet e saj nudo do të qarkullojnë në internet. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan, dhe prapa kësaj historie qëndron një djalë 23 vjeç. Ai është Marjo Bici, i cili do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nën akuzën e “shtrëngimin me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Prokuroria ka prova të forta fajësie, ndërsa vetë i pandehuri e ka pranuar akuzën, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Filmimi në shtëpi dhe letra kërcënuese

Mbrëmjen e datës 24.08.2015, R.L., oficere policie në Elbasan po bënte dush në tualetin e shtëpisë së saj njëkatëshe në Elbasan. Gjatë kohës që ishte në dush, ka dëgjuar zhurmë në dritaren e tualetit dhe ka parë një djalë të ri që po e filmonte. Ajo i ka thirrur dhe djali është larguar. Duke qenë se kallëzuesja ka qenë e zhveshur, nuk ka mundur të ndjekë djalin, i cili ka kaluar murin e oborrit dhe është larguar me vrap.

Dy ditë më pas, mëngjesin e datës 26.08.2015, në derën e shtëpisë së saj ka gjetur një letër anonime, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22.00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”. Me të marrë këtë letër, shtetasja R.L. ka bërë kallëzim pranë kolegëve të saj në Elbasan.

Kurthi që i ngriti policia të riut

Pas nisjes së hetimit, oficerja e policisë R.L., në këtë rast edhe e dëmtuar, u autorizua për të kryer veprime simuluese “dorëzim i kontrolluar i një zarfi” në vendin e paracaktuar nga letërshkruesi. Në çdo lëvizje ajo u mbikëqyr nga forcat e policisë.

Oficerët e policisë gjyqësore printuan nga interneti një 100 euro me numër serial (pesë të tilla) dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja dhe para orës 22:00 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi te koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar letërshkruesi dhe hodhi aty zarfin. Sapo ajo u largua, një person u afrua te koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua. Ai u ndoq nga forcat e policisë që vëzhgonin veprimet në terren dhe u kap në largim e sipër me vrap.