Nga Gladiola BUSULLA
14 shkurt 2014 – Kafeja, kjo pije e ngrohtë dhe aq e zakonshme për miliona njerëz në botë, në Shqipëri përfaqëson një kult të pamposhtur. Tradita shqiptare e hyjnizon kafenë, përderisa në çdo event të rëndësishëm; mort, dert apo gëzim, ajo (kafeja) është pika mbi i.
Mospirja e kafesë zhvlerëson gjithçka dhe është e patolerueshme, si një sakrilegj. Këtu tek ne është vërtet për t’u habitur, sepse kafenetë shërbejnë si “shkolla”, “zyra”, “shtëpi”, etj. Aty mund të lihen takime pune, të konsumohen biseda të karakterit të ndryshëm, të firmosen dokumente, të merren vendime serioze; madje me “një kafe” marrin zgjidhje shumë probleme. Me petkun e kësaj të fundit janë veshur antivlerat dhe imoraliteti.
Gjithsesi për analogji po përmend faktin se në vitet ‘700 francezët frekuentonin salons apo café, për të diskutuar rreth argumenteve filozofike. Aty merrnin pjesë Didero, Monteskje, Ruso, Voltaire etj. Kjo kafe kishte një model të përcaktuar, që ka mbërritur deri në ditët e sotme në Francë, sigurisht e modifikuar, si një shkëmbim i lirë pikëpamjesh.Temat e debatit mund të jenë të ndryshme dhe shpesh ndjekin kanone jo-konvencionale. I rëndësishëm mbetet roli i moderatorit, i cili nis diskutimin dhe vepron gjatë debatit duke e lëvizur ndërkohë, në disa fronte. Është thelbësore të argumentohen ndërhyrjet, respekti për mendimet e të tjerëve. Çdo pjesëmarrës është gjithashtu i lirë të marrë fjalën dhe të pranishmit duhet ta dëgjojnë, pa e ndërprerë. Në përgjithësi, kohëzgjatja e çdo ndërhyrjeje është rreth 3 minuta. Kjo është kultura franceze.
Kthehemi sërish në Shqipërinë konfliktuale, ku kafeja është kryefjala e ditës. Mund të rrimë pa bukë, pa gjumë, pa punë, pa zbavitje, por jo pa kafe. Përreth aromës së saj thuren ëndrra, formësohen projekte, rrëfehen intimitete, shqetësime, mëkate, humbje, fitore, suksese imagjinare, parashikohet e ardhmja, “lexojmë” inicialet e miqve e të armiqve; dëshirat dhe shpresat marrin ngjyrën e saj, vishen me avullin e ngrohtë, teksa e gjerbim pak nga pak apo e rrufisim menjëherë, deri në njëjtësim të plotë.
Në kafene, të gjithë shqiptarët ndihen filozofë, shkëmbejnë opinione, thashetheme, numërojnë kalimtarët, diskutojnë lajmet e ditës, humbasin, (më falni) shpenzojnë pjesën më të mirë të kohës. Të pish kafe është një ritual i shenjtë, të cilin populli ynë e kryen me devocion.
E cili prej nesh nuk ka dëgjuar aq shpesh, e nuk ka thënë po aq shpesh: “Urdhëroni të pimë një kafe!”; “Ende s’e kam pirë kafenë sot.”; “Të dielën do të pimë kafet e vajzës së madhe.”;” U turpëruam me aksh mik! Nuk vajtëm t’i pinim një kafe për të atin që i ndërroi jetë.”; “Bëja të fortë kafenë, që t’i mbledhë zemrën!”; apo batuta e pavdekshme e Zef Dedës ”Të mesme me pak, si shoku Xhemal”.
Të gjithë duam ta pimë kafenë në shoqërinë e miqve, me orë të tëra, pa u nxituar, por shpesh telefonatat urgjente na detyrojnë të ngrihemi, e ta lëmë në mes kënaqësinë që çuditërisht, kurrë s’bëhet monotone.
Mos u trishtoni për këtë! Dita e nesërme do të nisë dhe do të muzget sërish, rreth filxhanit të kafesë.





