Eurovisioni është kthyer ditët e fundit në një nga temat më të diskutuara në vendin tonë dhe kjo pasi në Lisbonë të Portugalisë, në finalen e madhe të këtij eventi, do të performojnë tre shqiptarë.
Eugent Bushpepaj për Shqipërinë, Eleni Foureira për Qipron dhe Ermal Meta për Italinë, kanë bërë krenar gjithë shqiptarët këto ditë me performancat e tyre në dy gjysmëfinalet që u duartrokitën dhe u komentuan gjatë nga të gjithë.
Pas “shqiponjës” mes Eugent Bushpepës dhe Eleni Fureiras, një tjetër “shqiponjë” është shfaqur në Lisbonë, këtë herë mes Eugent Bushpepës dhe Ermal Metës.
Në një foto të postuar nga ana e Eugentit, ai shihet së bashku me Ermalin duke formuar simbolin e shqiponjës. Në përshkrim të fotos ai ka shkruar: “Një artist i madh dhe i dashur”.
Por surpriza për të gjithë ka qenë postimi më i fundit i Ermal Metës në profilin e tij në rrjete sociale, ku shfaqet së bashku me Elenin të përqafuar, e në një tjetër me Eugentin, dhe në përshkrim të fotos ai ka shkruar plot krenari: ‘Shqiptarë’, duke e shoqëruar me flamurin tonë kuqezi.