Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë me disa sfida interesante të etiketuara si “finale të parakohëshme”. Gara për mbijetesë dhe ajo për Europën është në fokusin e javës së 27 e cila do të startojë me një sfidë të shtunën e 19 marsit.

Në Ismail Xhemali të Pukës, Tërbuni do të presë Lacin. Paraqitjet e mira të vendasve në sfidat e fundit kanë ndezur shpresën në ekip që ndaj kurbinasve kërkojnë fitoren që mungon prej 6 dhjetorit. Për bardhezinjtë ky duel vlen për të siguruar mesin e tabelës, pasi zona europiane është shumë larg dhe nëse Laci ecën me ritmin e sfidave të 2016 atëhere rrezikon shumë edhe mbijetesën.

Në Adush Muca luhet një tjetër finale e parakohëshme, me Bylisin që pret Vllazninë. Diferenca në klasifikim është 5 pikë, me shkodranët që kanë zgjatur hapin dhe për momentin ndjehen të sigurtë. Për mallakastriotët fitorja është detyrim pasi në fund të kampionatit gjithcka mund të varet jo vetëm nga pikët në sfidat direkte por edhe golavarazhi i tyre. Në dy fazat e para pavarësisht problemeve të shumta në organizim skuadrat kanë dhuruar sfida interesante dhe me shumë gola.

Pas barazimit me Partizanin dhe polemikave që pasuan gjatë javës, Skënderbeu rikthehet të luajë në shtëpi, teksa përballë do të ketë një kudnërshtar të vështirë si Flamurtari. Vlonjatët nuk fitojnë prej 4 javësh ku kanë regjistruar një humbje në Kukës dhe 3 barazime radhazi, por ndaj kampionëve dinë të tjetërsohen. Kuqezinjtë kanë prishur festën e korcarëve në fundin e vitit 2015 me atë fitore të pastër 3-1 në Vlorë teksa në 2014 kanë eleminuar formacionin e Mirel Josës nga gjysmëfinalja e kupës. Në 5 sfidat e fundit të luajtura në Korcë, Skënderbeu ka marë gjithmonë maksimumin duke shënuar 9 gola dhe pësuar vetëm 1. Një transfertë e vështirë paraqitet në letër për Partizanin, teksa do të përballet me Teutën në Niko Dovana. Të kuqtë duhet të harrojnë sa më parë zhgënjimin e atij goli në minutat e fundit të Vangjelit, për të vijuar sulmin drejt titullit kampion.

Në sfidën e fundit të fazës së 3, pengesa është Teuta e cila ka rimarë vendin e 3 dhe është në garë të plotë për europën. Këtë sezon skuadrat e kanë mbyllur gjithcka në ekuilibër, pasi kanë triumfuar minimalisht në transfertë me rezutlatin 0-1. Në fazën e parë Partizani merte pikët e plota në Durrës falë golit të Trashit, ndërsa në të dytën realizimi i Lukic i dha suksesin djemve të detit.

Më në fund për herë të parë në histori stadiumi Selman Stërmasi do të presë një sfidë nën dritat e prozhektorëve. Dhe këtë do ta bëjë në një ndeshje të rëndësishme në garën për europën, pasi Tirana pret Kukësin. Bardheblutë kanë humbur terren në kampionat pasi nuk e njohin fitoren prej 5 ndeshjesh, ku kanë regjistruar 2 barazime dhe 3 humbje. Krejt e kundërta ndodh me Kukësin që vjen nga 4 fitore radhazi dhe ndan vendin e 3 me pikë të barabarta me Teutën. Në dy fazat e para Tirana ka marë pikët e plota, por që pas ardhjes së Klodian Duros në krye të nënkampionëve dhe afrimeve të dimrit situata ka ndryshuar.