Ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi punuan pa përfaqësuesit e opozitës dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të përmbledhur në një draft propozimet që janë bërë në tryezë, por kur doli pasdite vonë për të deklaruar përfundimin e punës, Sokol Sadushi u shoqërua nga përfaqësuesit e EURALIUS-it dhe të OPDAT-it.

“E kemi draftin gati për ta dorëzuar. Natyrisht, ka disa gjëra të vogla që janë thjesht redaksionale, por drafti është i përfunduar”, deklaroi Sadushi.

Zoti Sadushi pohoi se janë përfshirë si alternativa disa propozime të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa për sa u takon propozimeve të demokratëve nuk ka patur shumë punë, sepse opozita u largua sapo palët nuk ranë dakord për shumicën e cilësuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Puna e grupit të ekspertëve është e përfunduar dhe ne e kemi draftin gati për t’ia dorëzuar komisionit ad hoc, edhe pa opozitën. Një pjesë e vërejtjeve të tyre janë përfshirë në materialin tonë, ndërsa pjesa tjetër jo. Ne e konsiderojmë punën të plotë”, nënvizoi Sadushi.

Përfundimisht, dy grupet e ekspertëve që u ulën pak ditë më parë në negociata me ambasadorin amerikan dhe atë të Bashkimit Europian kanë dështuar të gjejnë kompromisin, sesi dhe me çfarë shumice duhet të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në variantin që do t’i paraqitet komisionit ekziston vetëm një opsion. “Do jetë me 3 të pestat”, sqaroi Sadushi.

Më herët gjatë ditës, pedagogia e së drejtës kushtetuese Aurela Anastasi nuk iu shmang pohimit për rëndësinë që ka procesi i vendimmarrjes politike. “Është një çështje politike pa dyshim. Janë të lirë pa dyshim që ta zgjidhin politikisht këtë çështje”, tha Anastasi.

Megjithatë, gjatë ditëve të debatit mes ekspertëve ka patur edhe propozime alternative, që japin zgjidhje duke përjashtuar shumicat e cilësuara.

Ndërsa dy palët akuzojnë njëra-tjetrën se me shumicën 3/5, që mbështet mazhoranca dhe shumicën 2/3, që mbështet opozita nuk zgjidhet kapja reciproke politike e Gjykatës Kushtetuese, ekspertët e propozuar nga Ministria e Drejtësisë kanë dhënë një zgjidhje që eliminon bllokimin.

Kjo zgjidhje kërkon që vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese të plotësohen me kandidatë konsensualë, pa shumicë të cilësuar. Nëse palët nuk janë të afta të arrijnë konsensusin në Parlament, presidenti propozon për votim një kandidat nga mazhoranca, një kandidat nga opozita dhe për ta kryhet një votim i përbashkët nga të gjithë deputetët dhe të gjithë gjyqtarët e vendit.

Propozuesit besojnë se, në mungesë të konsensusit politik, zgjerimi i trupës zgjedhore për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si në modelin e zgjedhjes së presidentit gjerman, eliminon rrezikun e kapjes politike të sistemit gjyqësor./Top Chanel/