Këtë të hënë është finalizuar kampionati i tenisit “Durrës Open” në qytetin bregdetar, i cili kishte staruar prej të shtunës së 1 majit.

Në aktivitetin sportiv, i zhvilluar në kuadër të programit të Federatës Shqiptare të Tenisit për vitin 2021, garuan plot 41 tenistë të kategorive U-10 U-12 dhe U-14 për djem dhe vajza.

Maks Prifti, trajner i licensuar i FSHT për moshat fillestare dhe të mesme, njëkohësisht organizator i aktivitetit tha se pjesëmarrja ka qenë tepër e kënaqshme me lojtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë; Vlora, Shkodra, Tirana, Korça, Durrësi.

Në fund të kampionatit do të shpërndahen 4 çmime për vendet e para dhe 4 çmime për vende e dyta. Trajneri Prifti u shpreh se “pas këtij aktiviteti që është i pari për këtë vit në rang kombëtar, do fillojmë me të Vlorës, Shkodrës, Korçës e kështu me radhe.”

Ndonëse tenisi në vendin tonë nuk është shumë i njohur apo edhe i zhvilluar, lojtarët e vegjël synojnë që t’i japin jetë këtij sporti.

Talenti që zotërojnë ka bërë që ata të fitojnë disa çmime dhe medalje ndër vite, duke shtuar më shumë shpresë për ëndrrën e tyre; që në të ardhmen të bëhen edhe më të mirë se idhujt dhe të përfaqësojnë Shqipërinë jashtë kufinjve.

“Ëndërroj të bëhem teniste e famshme në të gjithë botën, të përfaqësoj Shqipërinë”, shprehet 11-vjeçarja shkodrane, Emily Bilali.

LISTA E FITUESVE

Vendi I U 7 / Milan Kryeziu

Vendi I U10(M) / Ares Ferhati

Vendi I U10(V) / Anjel Hoxha

Vendi I U12 (M) / Alex Prifti

Vendi I U12 (F) / Emily Bilali

Vendi I U14 (M) / Damian Methasani

Vendi I U14 (F) / Emily Bilali

G.D.