Dy fusha basketbolli, të ndërtuara në shëtitoren “Taulantia”, u shtohen terreneve sportive, që do të përdoren nga fëmijët e Durrësit, sidomos ata që merren rregullisht me aktivitet sportiv.
Gjatë inaugurimit të tyre, të pranishëm ishin kryetarja e bashkisë Emiriana Sako dhe anëtarët e Klubit Rotarian Durrës, të cilët qenë nismëtarët dhe realizuesit e këtij projekti, që u konkretizua me dy fusha sportive me infrastrukturë mjaft moderne.
Investimi që kap vlerën 60 mijë euro u realizua nga Klubi Rotarian Durrës, në bashkëpunim me aktorë të tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë.
“Është ndër objektivat e Rotary-t, të bëjë investime në infrastrukturë dhe në të mirë të komunitetit durrsak. Ky është një projekt që ne kemi gati 8 muaj që e zhvillojmë dhe kap një vlerë investimi mbi 60 mijë euro, ku një pjesë janë donacione të klubit dhe një pjesë janë donacione të kompanive private, të cilat iu bashkuan nismës sonë. Jemi munduar të bëjmë një investim sa më cilësor dhe sa më rezistent për fëmijët dhe banorët e zonës. Ky projekt ka si qëllim jo vetëm aktivitetin fizik dhe kalimin e kohës së lirë të fëmijëve, por dhe rivitalizimin e disa figurave të sportit të basketbollit në qytetin e Durrësit”,– deklaroi Jonadri Prodani, ish-president i Klubit Rotarian të qytetit.
“Ky është një investim që ka parashikuar jo vetëm fëmijët aktualë, por edhe gjeneratat e ardhshme të tyre. unë dëshiroj të shpreh një falenderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, të cilët janë të shumtë në numër dhe kalojnë edhe kufinjtë e qytetit tone. Ata janë jo vetëm anëtarët e RC Durrës, komuniteti i biznesit durrsak, por edhe anëtarë dhe klube nga Distrikti Shqipëri-Kosovë e më gjerë, që kanë mbështetur qytetin tonë në momentet e tij më të vështira.”,- tha ndër të tjera për “DurrësLajm” kryetarja e Fondacionit Rotarian për Distriktin Shqipëri-Kosovë, Ela Golemi.
Projekti i dy fushave është ideuar nga arkitekti dhe anëtari i RC Durrës, Indrit Hamiti.
Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e inaugurimit të terreneve sportive, kryebashkiakja Sako nënvizoi kontributin e çmuar që Klubi Rotarian Durrës ka dhënë në disa projekte të rëndësishme në shërbim të komunitetit durrsak dhe njëkohësisht nënvizoi faktin se 2 fushat e basketbollit do të jenë një shtysë më shumë për të rinjtë e apasionuar pas sportit, që të angazhohen në aktivitete sportive.
“Jam e sigurt që ky klub, me angazhimin e madh qytetar që ka do të ketë një bashkëpunim akoma më të madh me institucionet tona për të bërë të mundur të gjithë detyrën e vetë qytetare, në radhë të parë. Unë ju falenderoj shumë për kontributin, Nardin që e ka filluar, Indritin për projektin, Almirin dhe Artionin si president aktual. Shpresoj që do të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm në të ardhmen dhe kam shumë besim tek kontributi juaj që jepni në qytet me aktivitete të ndryshme”.
Krahas kontributit financiar të të gjithë anëtarëve të RC Durrës, një ndihmesë të veçantë në realizimin e këtij projekti kanë dhënë edhe kompanitë Maccaferri Balkans Sh.p.k, Robert Masha, dhe Teoren, Orest Çelo, të cilave ju akordua gjatë ceremonisë certifikatë mirënjohjeje,
Në njërën nga fushat e sapo inauguruara u zhvillua ndeshja e parë e basketbollit e ekipeve U-16, Teuta dhe Juvenilja. Në të ardhmen, këto dy fusha sportive mund të përdoren edhe për organizimin e turneve kombëtare.
M.B.