TIRANE, 25 maj 2013– Dita e shumëpritur erdhi! Sot e gjitha bota e futbollit "mban frymën" në mitikun anglez, stadiumin "Uembli". Të gjitha përgatitjet kanë mbaruar për të dyja kampet, pak a shumë formacionet janë zbuluar dhe nuk priten shumë surpriza për këtë supersfidë, që për herë të parë në Ligën e Kampioneve do të jetë e gjitha gjermane. Batuta dhe kundërpërgjigje në distancë, por që sonte, në orën 20:45 do t'ia lënë vendin fushës së lojës. Favorit është Bajerni, por jo absolut, dhe këtë e dinë edhe bavarezët, të cilët duan që këtë radhë të mos dështojnë si në dy finalet e fundit. Por edhe në kampin e Borusias e dëshirojnë shumë këtë trofe. 
 

SHVAJNSHTAJGER 

Shvajnshtajger ka një besim të palëkundur te mundësia e Bajernit të tij për të ngritur në qiellin e "Uemblit" kupën e pestë në historinë e klubit. "Kemi hedhur një hap të shkëlqyer në këtë sezon drejt perfeksionit. Kampionati dhe ky edicion i Championsit ka treguar se jemi realisht ekipi më i fortë dhe tani ka ardhur koha që të bëjmë paraqitjen perfekte që jemi në gjendje të realizojmë në finale", – deklaroi mesfushori gjerman, që më pas thotë: "Jam i sigurt që, nëse luajmë në nivelin e potencialit tonë, atëherë do të jetë shumë e vështirë, jo vetëm për Borusian, por për çdo skuadër në botë që të na mundë në këtë moment." 
 

HEJNKES 

"Vitin e kaluar luanim më mirë se të gjithë, por përsëri nuk arritëm të fitonim. Këtë vit, kemi dominuar në mënyrë absolute çdo kompeticion ku kemi marrë pjesë. Jam i sigurt që do të fitojmë, Zotat e futbollit na e kanë një borxh. Unë e kam fituar një Champions si trajner, ndërsa si futbollist kam festuar fitimin e një Botërori dhe një Europiani. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo ndeshja e jetës për një si unë." Kështu ka deklaruar trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes, në prag të sfidës së sotme. 
 

KLOP 

Trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop, pas ndeshjes me Malagën, filloi të besonte se skuadra e tij mund të arrijë deri në finale. Përmbysja dramatike në ndeshjen me skuadrën spanjolle ka bindur trajnerin Klop se ekipi i tij mund të arrijë deri në finalen e Ligës së Kampioneve. "Ishte pas fitores në çerekfinale, kur fillova të besoj se gjërat mund të funksionojnë dhe mund të arrijmë në Londër. Mund të jetë befasi që jemi në finale, por jo sensacion", – tha ai. "Futbolli është sport ekipor. I gjithë qëllimi i lojës është ndihma e njëri-tjetrit për të përparuar. Veç anëtarëve të familjes, bashkëlojtarët duhet të jenë njerëzit që duhet të të bëjnë të ndihesh mirë. Kjo është ideja ime e futbollit", – tha Klop.