Një natë kaosi, dhe me shumë të plagosur ishte ajo e mbrëmshmja në sheshin San Carlo në qendër të Torinës, Itali, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të ndjekur finale e Champions League-s përmes ekranit gjigant të vendosur pikërisht për këtë eveniment.  

ANSA dhe mediat e tjera italiane flasin për 200 të plagosur, por asnjëri në gjendje të rëndë. Në momentin kur ishte shënuar goli i tretë i Realit shpërthen kaosi. “Njerëzit bërtisnin, shtynin dhe nisën të largoheshin të alarmuar”, thonë dëshmitarët, të cilët menduan fillimisht mos ishte ndonjë atentat.

Shumë persona kanë mbetur të plagosur nga shkelmat e njerëzve të cilët vraponin të tmerruar.  Fillimisht është dëgjuar një zhurmë e madhe dhe më pas u mësua se ishte shembur një pjesë e kangjellave te pjesa që të çonte tek parkimi nëntokësor. Shembja ka shkaktuar panik të madh.