10 tetor 2015 – Shqipëria luan shanset e saj për të hyrë nga dera e madhe në Euro 2016 sfidën e fundit të fushatës së kualifikueseve me Armeninë. Në Yerevan do të vendoset gjithçka dhe skuadra e De Biasit ka vetëm një opsion, fitoren përballë armenëve që luajnë vetëm për të evituar vendin e fundit në grup.

Është një përballje plot emocione për shqiptarët anembanë botës që presin që Shqipëria për herë të parë në histori të sigurojë kualifikimin në një event madhor të futbollit, por edhe për ata që shohin gjithçka me gjaftohtësinë maksimale në bazë të një analize të detajuar pasi në këtë lojë vënë paratë, për Bookmakers apo thënë më shqip kompanitë e basteve Shqipëria është favorite.

Të gjitha kompanitë më të mëdha botërore parashikojnë si më të mundshme fitoren e Shqipërisë që kuotohet rreth 2.3, përballë një koeficenti më të lartë, 3.4 ose më tepër për fitoren e Armenisë ndërsa barazimi vërtitet rreth 3-shit. Natyrshëm që fitorja e Shqipërisë vlerësohet me një koeficent më të ulët në vendin tonë ku dhe flukset e basteve për të pritet që të jenë më të mëdha, me LottoSport që vlerëson me koeficentin 2 fitoren e Shqipërisë përballë kuortës 3.25 për fitoren e armenëve dhe 3.6 për atë të barazimit. Shqipëria ka në krahun e saj edhe statistikat në përballjet e mëparshme.

Që pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, kur Armenia u bë e pavarur dhe krijoi ekipin e saj kombëtar është përballur 4 herë më Shqipërinë. Sfida në të cilat janë rregjistruar dy fitore për kuqezinjtë, një barazim dhe një sukses i armenëve. Shqipëria ka barazuar 1-1 në Tiranë në vitin 1996 në eleminatoret e Kupës së Botës 1998, ndërsa në ndeshjen e kthimit është mundur 3-0 në Yerevan, por vlen të kujtohet se fitorja e Armenisë ka ardhur në vitin ndoshta më të vështirë në gjithë historinë e Kombëtares Shqiptare 1997.

Më pas skuadrat janë përballur edhe në një miqësore në vitin 2013 të fituar 2-1 nga Shqipëria ndërsa sfida e fundit është padyshim në memorjen e të gjithëve, suksesi me përmbusje 2-1 në Elbasan Arena me golat e Mavrajt dhe Shkëlzen Gashit.

/portali DurresLajm/