2 gushti (31 korriku është e diel) është afati i fundit të dorëzimit të bilanceve të vitit 2021.

Që pas sulmit kibernetik mbi E-Albania, nga 17 korriku, dorëzimi i bilanceve, i cili kryhet përmes sistemit të E-Albania, ishte i pamundur, për të paktën një javë, duke krijuar shqetësime te subjektet që nuk po arrinin të kryenin këtë shërbim.

Edhe aktualisht dorëzimi i bilancit sipas ekonomistëve të subjekteve është një mision i vështirë dhe has problematika të shumta. Subjektet duhet të presin orët e vona të natës që të arrijnë të dorëzojnë online pasqyrat financiare dhe dokumentet e tjera që kërkohen sipas ligjit.

Ministria e Financave njoftoi në 25 korrik se “Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, përfundon njoftimi i financave.

Por, ky njoftim ka krijuar konfuzion te subjektet, pasi ende nuk është e qartë se për sa ditë nuk ka funksionuar dorëzimi i bilanceve dhe si do të konsiderohen ditët e fundit, kur bilancet edhe dorëzohen edhe nuk dorëzohen.

Burime nga Ministria e Financave thanë për “Monitor” se “Me mbarimin e afatit më datë 2 gusht, do të merret vendimi si do të veprohet, në bazë të ecurisë së dorëzimit të pasqyrave”.

Gjoba për mosdorëzim bilanci është rritur këtë vit në 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë, por gjithësi, përsa kohë që arsyeja e mosdorëzimit lidhet me mosfunksionimin e sistemit, bizneset nuk do të gjobiten. Janë gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore.

Në fund të javës së kaluar Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) në një letër drejtuar ministres së Financave Delina Ibrahimaj, drejtoreshës së QKR znj.Pranvera Fagu dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama kërkoi shtyrjen edhe me 15 ditë të tjera përtej përcaktimeve ligjore të afatit për dorëzimin e pasqyrave financiare.

Kontabilistët në letrën e tyre thonë se nga mosfunksionimi i sistemit bënë që ngarkimi dhe depozitimi i pasqyrave financiare kërkon një kohë të gjatë fizike dhe për pasojë çon edhe në tejkalimin e afatit ligjor për dorëzimin e tyre. Për këtë arsye ata kërkojnë shtyrje të afatit edhe 15 ditë të tjera përtej shtyrjes bazuar në Kodin e Procedurave Administrative, me qëllim mospenalizimin e bizneseve.