Rusia ka trajnuar marinën e saj për të goditur objektiva brenda Evropës duke përdorur raketa me aftësi bërthamore në rast të një konflikti me NATO-n.

Kështu ka deklaruar një raport i Financial Times, ku sipas disa dosjeve sekrete thuhet se në një konflikt të mundshëm me NATO-n, do të shënjestroheshin caqe të largëta si bregdeti perëndimor i Francës dhe Barrow-in-Furness në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke cituar të njëjtat 29 dosje sekrete ushtarake ruse, gazeta kishte raportuar më parë se Moska kishte bërë prova për përdorimin e armëve bërthamore taktike në fazat e hershme të një konflikti me një fuqi të madhe botërore.

Këto dokumente, të treguara për FT nga burime perëndimore, zbulojnë planet e Rusisë për sulme të gjera në të gjithë Evropën Perëndimore, duke parashikuar një konflikt me Perëndimin që shtrihet përtej kufijve të NATO-s.

Të përgatitura midis 2008 dhe 2014, dosjet përfshijnë objektiva për raketa me koka bërthamore konvencionale ose taktike, duke theksuar përdorimin e hershëm të sulmeve bërthamore, raportoi The Financial Times.

Prezantimi tregon gjithashtu se Rusia mund të vendosë armë bërthamore në anijet sipërfaqësore, duke rritur rreziqet e përshkallëzimit ose aksidenteve.

Dokumenti vëren se “manovrueshmëria e lartë” e marinës e lejon atë të kryejë “goditje të papritura dhe parandaluese” dhe “sulme masive raketore”…nga drejtime të ndryshme”.