Përtej atyre pak punonjësve të policisë që rezultojnë të kapur nga krimi, janë edhe ata pa të cilët nuk do të mund të kishim as rend e as siguri jo vetëm në qytet, por në çdo familje e aktivitet të jetës së përditshme.

Një grup punonjësish të komisariatit të policisë së Durrësit ditët e fundit kanë ngritur pranë DurrësLajm një shqetësim madhor për ta, shqetësim i cili përsëritet sa herë që vjen fundi i vitit.

Sa herë që ka përmbytje, sa herë që ka situata të jashtëzakonshme, sa herë që kërkohet gadishmëria e këtyre punonjësve jo 8 orë siç është orari zyrtar i punës por 16 orë në  ditë, ata janë aty në rrugë dhe ku ju kërkohet të shërbejnë.

Një prej shërbimeve të tyre është edhe shërbimi në stadiume, minimalisht 2  herë në muaj, por kërkohet edhe tre apo katër herë në muaj.

Policia shkon dy orë më shpejt se sa fillon ndeshja dhe mer stadiumin nën mbikqyrje si dhe organizon punën për të mos patur konflikte midis tifozërive.  

Fondet për shpërblimin e orëve shtesë të shërbimeve të patrullës së policisë në stadiume janë miratuar para disa javësh nga Federata Shqiptare e Futbollit që çdo punonjës policie të marrë atë që meriton për shërbimin që ka kryer gjatë ndeshjeve të futbollit në stadiume.

Deri këtu është çdo gjë mirë por këto fonde të cilat duhet të jepen për punonjësit e policisë nuk shpërndahen nga shefja e financës në policinë vendore. Janë me qindra orë pune, përgjatë një viti të pashpërblyera, për dhjetëra punonjës policie që kanë mbajtur qetësi e rend në stadiume që tifozët të mos përplaseshin apo të ndodhnin situata të dala jashtë kontrolli.

Mbase për mungesë kohe, apo për neglizhencë nga ana e financës së policisë vendore,  punonjësit e policisë së Durrësit të cilët kanë shërbyer në stadiume në kohë të mirë e të keqe, kanë lënë familjet e tyre, janë përballur me turmat e tifozëve, nuk kanë marrë asnjë shpërblim për vitin 2017 i cili është në mbyllje të tij, pas pak javësh.

Këta punonjës policie që nuk janë të paktë por të shumtë në numër, thonë se nëse mbyllet viti kalendarik nuk do të ketë asnjë mundësi ti marrin paratë e tyre të punës.

Ata nuk duan të evidentohen me emër, për shkak se do të ishin shënjestra e parë nga çdo titullar deri në ministrinë e Brendshme, nëse do të ngrinin shqetësimin publikisht.

Ata thonë se këtë problem e kanë ndarë me shefen e financës në policinë e Durrësit, por kjo e fundit nuk e ka ka vënë ujin në zjarr.

Sipas burimeve mësohet se shefja e financës për çdo fond të grumbulluar i cili i kalon ministrisë së Brendshme merr një përqindje në fund të vitit që mund të shkojë deri në 8%.

Kësisoj sa më e madhe është shuma e parave që "kursen" financierja e policisë aq më i madh është edhe shpërblimi që ajo merr në fund të vitit nga eprorët e saj.

Këtë e pohojnë punonjësit e policisë të cilët janë të brendshëm e vuajnë pasojat e këtij veprimi.

DurrësLajm e publikon këtë shqetësim dhe shpreson  që punonjësit e policisë së Durrësit të paguhen për punën që kryejnë, në të kundërt do ta ndjekë hap pas hapi. Janë këta punonjës policie që në çdo rast rrezikojnë jetën e tyre, jo vetëm në përballje direkte me kriminelët, por në çdo aspekt ku ka nevojë.

Nëse ka përmbytje janë punonjësit e policisë prej të cilëve kërkohet ndihma e parë, ashtu si në proceset e  zgjedhjeve, në festat e ndryshme, në çdo aktivitet ata janë jashtë në të ftohtin e dimrit dhe të nxehtin e verës.

Edhe në mbrëmjen e vitit të ri, punonjësit e policisë janë jashtë në rrugë e në çdo ambient të hapur për të mbajtur nën kontroll rendin e sigurinë, ndërsa financierja e policisë së Durrësit dhe çdo financier tjetër pak e di këtë nga kolltuku i zyrës ku kondicioneri qëndron hapur sipas rastit, ngrohtë në dimër e fresk në verë.

Punonjësit e policisë duan shpërblim dhe ky shpërblim i orëve të punës në stadium të mos ju hidhet në pagë, sepse paga do të tatohet. Kjo punë të bëhet para mbarimit të vitit kalendarik.

Do të ishte mirë që edhe drejtuesit e policisë ti shikojnë pak me vëmendje këto punë, që duken si procedurale e shkresore, por që për të gjithë punonësit e policisë janë shumë të rëndësishme, sepse ju çojnë një lekë më shumë familjeve të tyre, të cilave fizikisht ju mungojnë, në çdo rast familjar e feste, ashtu si edhe ju mungojnë edhe me ndihmën materiale shumë të vlefshme!