4 shqiptarë janë arrestuar në Bari të Italisë të akuzuar për terrorizëm.

Mediat italiane bëjnë me dije në të arrestuarit janë Yljan Muça, 31-vjeç, Roland Leshi 37-vjeç, Elsio Ramku 33-vjeç dhe Roland Belba 37-vjeç.

Ata akuzohen se mblidhnin fonde për aktivitetin terrorist të imamit të një xhamie në Kavajë, Genci Balla, i dënuar me 17 vite burg për rekrutimin e dhjetëra luftëtarëve të dërguar në Siri.

Mësohet se Yljan Muca ishte nismëtari i grumbullimit të parave për Genc Ballën që rekrutonte terroristë për ISIS.

Roland Leshi dhe Elsio Ramku ndërmjetësit me Genc Ballën, ndërsa lekët i kalonte Roland Belba.

Sipas hetimit të autoriteteve italiane në një rast lekët janë dërguar me një kamion, i cili u transportua me traget nga Italia.

Hetimet e bazuara në teknikat moderne të monitorimit të komunimit në web, kanë identifikuar se katër shqiptarët mbështesnin propagandën xhihadiste si edhe shpërndanin komunikata e dokumente të përkthyera në shqip të ish-liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi e zëvendësuesit të tij Ebu Ibrahim El Hashimi El Kureshi.

Dokumentet në shqip redaktoheshin nga imami shqiptar i dënuar, Genci Balla.