Finlanda ka nënshkruar të mërkurën një pakt 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën, të cilës do t’i dërgojë ndihmë shtesë ushtarake në vlerë 188 milionë euro, tha presidenti finlandez Alexander Stubb, pas një takimi në Kiev me homologun e vet ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pakti përfshin bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe përkrahje afatgjate, përfshirë mbështetje të sigurisë dhe mbrojtjes për Ukrainën kundër pushtimit tashmë dyvjeçar rus, tha zyra e Stubbit.

“Marrëveshja 10-vjeçare është dëshmi e përkushtimit afatgjatë të Finlandës për ta mbështetur Ukrainën”, tha zyra e tij në një komunikatë.

Finlanda do t’ia ofrojë Ukrainës edhe një pako tjetër me mjete mbrojtëse, mes tjerash edhe mjete të mbrojtjes ajrore dhe municion të kalibrit të lartë, tha Stubb në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn në kryeqytetin ukrainas.

Ai theksoi se pakoja e re do ta çojë në 2 miliardë euro shumën e përgjithshme të ndihmës ushtarake që Finlanda ia ka dhënë Ukrainës prej vitit 2022.

“Ne nuk po e japim këtë ndihmë ushtarake vetëm që Ukraina ta mbrojë veten, por po e japim këtë ndihmë ushtarake që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.