DURRËS, 8 nëntor 2014 – Deputeti gjirokastrit Fino i qan hallin bashkisë së Durrësit, duke bërë “sherr” me Ministrin e Financave Cani mbi projektbuxhetin e 2015-ës, teksa superbashkisë bregdetare parashikohet t’i ulen 9,9 milionë lekë.
Fondet për pushtetin lokal por dhe dëmshpërblimin e pronarëve pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut në lidhje me pronat ishin në qendër të vëmendjes së Komisionit të Ligjeve, ndërsa diskutohej projektbuxheti për vitin 2015, i prezantuar nga ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani.
Deputeti Bashkim Fino tha se, në një kohë që qeverisja lokale ka nevojë për një mbështetje më të madhe financiare, projektbuxheti i 2015-ës heq shuma të mëdha parash që vinin në formën e granteve për vendorët, duke ia lënë në dorë pushtetit qendror zgjedhjen se ku këto të fundit do të rialokohen, pas zbatimit të reformës territoriale.
Fino iu referua dhe shifrave konkrete.
“Sa u përket shifrave për shpërndarjen e fondeve të grantit të pakushtëzuar me rezulton se, përjashto që jeni treguar disi servil me kryetarin e opozitës, dhe mirë keni bërë, i keni lënë një çikë më shumë dhe e keni mbajtur mirë me atë Lul Bashën, për kryetarët e bashkive të partisë time [PS] dhe partisë tënde [PS], fatkeqësisht, ka një diferencë në këtë grant nga 2014-a në 2015- n. Durrësi për shembull në 2014-ën e ka pasur fondin e grantit 437, 9 milionë lekë, sot ju propozoni 428 milionë lekë. Elbasani në 2014 e ka pasur 370.37 milionë ju propozoni të marrë 340 milionë”, – deklaroi Fino.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





