15 qershor 2015 – Shkëlzen Gashi është në qendër të vëmendjes së merkatos në Itali. Bomberi kosovar është ndër lojtarët më të kërkuar në treg, sidomos në Serie A. Ai ka një vlerë që vërtitet nga 5 deri në 8 milionë euro. Sampdoria, Lacio dhe së fundmi Fiorentina kanë shfaqur hapur interesimin e tyre për Gashin, i cili mund të luajë dhe në krah, por edhe si sulmues i dytë. Portali “fiorentina.it”, në një shkrim dedikuar sulmuesit të Basel, shkruan se problemet që ka Fiorentina me rinovimet mund të bëjnë që drejtuesit të sjellin Gashin gjatë verës. Fiorentina nuk po arrin të rinovojë me Pizarron, Akuilanin, Valeron dhe Fernandez, duke e vënë përpara vështirësive këtë skuadër për merkaton e verës. Por, një mundësi për sulmin e Fiorentinës është sulmuesi kosovar Shkëlzen Gashi. Ardhja e trajnerit Paulo Sousa te Fiorentina, me të cilin Gashi ka punuar te Bazeli, mund të bëjë kalimin e lojtarit në këtë skuadër. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/