Edhe pse thotë se nuk është shembull për t’u ndjekur, pasi s’është dietologe që mund të japë receta për këdo, Fiori Dardha ia ka dalë me trupin e saj. Regjimi i mirë, konsumimi i reçelit dhe shumë ujë gjatë ditës, janë sekretet që ka zbuluar për të shtuar në peshë në kohë rekord. Moderatorja e programit investigativ në “Top Channel” “Fiks fare” rrëfen për “Story” eksperiencën personale duke qenë kundër rrymës edhe kësaj here. Ndërkohë që të gjithë vajzat duan të humbin në peshë, mami i djalit Abel po punon për të fituar kile, dhe ja si ka mundur të ndihet në super formë fizike.

Pse vendose të fitosh kile, në këtë kohë kur shumica e vajzave synojnë heqjen e tyre?

Ishte testi i intolerancës ushqimore që konstatoi se unë isha intolerante ndaj glutenit, e ky rezultat më detyroi të mbaja për disa muaj një dietë të fortë me produkte pa gluten e pa maja. Pasi ndërpreva këtë dietë, filluan të vinin edhe kilogramët e parë. Unë nuk jam shembull për t’u ndjekur, sepse zakonisht ushqehem keq me ushqime si: fast food, pizza, pasta, e shumë ëmbëlsira. Më duhet ta pranoj se 10 kilogramët e fundit i kam marrë nga konsumimi i reçelit. Kështu para 10 muajsh peshoja 44 kilogramë, ndërsa pak javë më parë arrita të kap 60 kilogramë, dhe tani jam sa duhet pra 54 kg.

Çfarë shqetësimesh ndieje si pasojë e intolerancës ushqimore?

Humba peshë dhe kisha dhimbje koke. Ndjehesha si e lodhur e pa energji. Tani jam në super formë e dua vetëm të ushqehem. E vërteta është që nuk duhet të abuzojmë me brumrat. Pasi të gjitha analizat e tjera rezultuan ok, një mjeke më sugjeroi testin e intolerancës ushqimore. Kështu u gjet edhe shkaku i problemeve të mia, pasi unë edhe pse ushqehesha vetëm humbja kile. Pra mua më bënte këtë efekt, sepse zakonisht njerëzit shtojnë kilogramë, u ndodh e kundërta. Fatmirësisht unë e kisha të fituar këtë intolerancë, sepse kur e ke të lindur duhet të jetosh gjithmonë me dietë.
Si përshkallëzohet problemi i intolerancës ushqimore për ata që nuk e dinë?
Intoleranca është me gradë, e kur situata përkeqësohet të ikën edhe oreksi. Kjo më ndodhi edhe mua. Këtu tek ne nuk e njohin testin e intolerancës ushqimore. Ka shumë persona që janë gluten free, ndaj nëpër supermarkete ka reparte të posaçme me produkte pa gluten.

Ç’mund të na tregosh për dietën magjike me anë të së cilës fitove peshën e dëshiruar?

E kam shpikur vetë këtë dietë dhe tek unë ka bërë mjaft efekt. Dieta ishte pak më ndryshe, por e modifikova. Dua të theksoj që nuk jam dietologe. Unë thjesht kam ndarë eksperiencën time personale, por nuk e di nëse funksionon dhe për të tjerët.

Cilës diete konkrete ju referove?

Unë nuk mbaj dot dietë për një kohë të gjatë, por mund të them se në këtë periudhë po bëj regjim ushqimor. Kështu, në mëngjes konsumoj një trahana me bukë thekre e një banane, në drekë një supë, sallatë e ndonjë fileto mishi me pak oriz, dhe në darkë sallatë. Konsumoj shumë ujë gjatë ditës e ndonjëherë e shkel me ndonjë ëmbëlsirë.

Ushqimet prej të cilave ke hequr dorë tashmë?

Nuk mund të them që kam hequr dorë, por kam reduktuar ëmbëlsirat e frutat me shumë sheqer, dhe kam shtuar sasinë e perimeve e bukën e thekrës.

E alternon dietën me sport apo me vrap?

Për fat të keq jo. Nuk kam pikë vullneti. Unë përtoj të eci e jo më të vrapoj. Bëj vetëm disa trajtime e masazhe anticelulit./Story