Tiranë, 3 maj 2014  Zyra e administrimit të ish-firmave piramidale ka bërë me dije se është gati procesi i ndarjes së parave të mbetura për 6 prej këtyre subjekteve. 

Përmes një njoftimi, Administratori i Shoqërive Huamarrëse bën me dije se qytetarët e interesuar mund të tërheqin përqindjen e caktuar të parave të shoqërive "VEFA", "GJALLICA", "KAMBERI", "XHAFERRI", "M. LEKA" dhe "POPULLI". Sipas zyrës, të gjithë ata qytetarë që kanë futur para në këto gjashtë firma dhe nuk janë paguar deri tani, mund t'i tërheqin këto para pranë sporteleve të Bankës Credins sipas koeficientit të caktuar për secilën kompani, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”. 

"Administratori i Shoqërive Huamarrëse në Administrim, njofton të gjithë kreditorët që nuk kanë tërhequr vlerat financiare sipas koeficientit të shpërndarjes në shoqëritë: 'VEFA' (11%), 'GJALLICA' (2,41%), 'KAMBERI' (7,2%), 'M. LEKA' (34%), 'XHAFERRI' (40%) dhe 'POPULLI' (52%), të paraqiten me kontratat origjinale pranë sporteleve të Bankës Credins".

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/