Pjesë e dëshmive të dosjes së Prokurorisë në ngarkim të Altin Çokut është edhe e kushëririt të tij Tonin Çoku, kur Altin Çoku kërcënonte mjekun për të përfituar para.

Së bashku me një person tjetër Deli Lika, ata i kanë kërkuar Altinit të lëshonte një deklaratë se nuk kishte probleme me mjekun G.S. dhe se nuk do të kishte probleme në të ardhmen, për t’i shpëtuar dënimit.

Altin Çoku ka deklaruar se nuk i kishte ndonjë borxh mjekut, as në vlerë monetare, as morale dhe se nuk do ta shqetësonte më në punën e tij.

“I dëmtuari, pas kërcënimeve serioze për vrasje, që ka pasur nga ana e të pandehurit, me qëllim përfitimin pasuror pa të drejtë, nëpërmjet mikut të tij Deli ka iniciuar takim me të afërm të pandehurit, shtetasin, Tonin Coku dhe me vete të pandehurin Altin me qëllim për ta mbyllur këtë çështje”-thuhet në dosjen e prokurorisë së zbardhur nga Top Channel.

 “Lidhur me këtë problem kam për të thënë se datën nuk e mbaj mend, por mua më ka takuar Deli Lika, banues në Laç, por nga Gjormi, ku më ka thënë se Altin Çoku që është kushëriri im, i ka rënë në qafë doktor G.S, kështu që duhet me e taku dhe me u sqaruar. Së bashku me Deli Likën, kemi takuar Altin Çokun, se e kam kushuri të largët dhe i thamë se çfarë ke me doktorin. Ai pretendonte se G.S., i kishte lekë borxh.

– Ne i thamë se hajde e bëj një deklaratë se nuk ke problem me të se do të fusin në bug. Kemi shkuar në polici dhe Altini në prezencën tonë, bëri deklaratë se unë nuk kam asnjë problem me G.S. dhe se nuk do të kem probleme në të ardhmen. Në këtë deklaratë kemi firmosur edhe unë me Deli Likën si të pranishëm.

– Unë nuk kam dijeni për kanosje, por di që e ka shqetësuar shpesh herë duke i shkuar në punë për t’i kërkuar para, duke i thënë në rrugë apo me telefon. …Unë e kam takuar G. dhe ai më ka thënë se Altini, shkon dhe i kërkon lekë, duke e shqetësuar vazhdimisht. Më tha se e kishte ndihmuar për operacionin e vajzës së Altinit duke i dhënë lekë, por nuk e di sa lekë i ka dhënë pasi nuk më ka thënë gjë. …Unë nuk e kam pyetur, dhe Altini më ka thënë se Gëzim Sinani i kishte 7 mijë euro borxh, por nuk më ka thënë se në çfarë rrethana ja kishte marrë”-thuhet në dëshminë e të afërmit të Altinit.

Mua ma kishte kërkuar më përpara Tonin Çoku që të merresha me mjekun për ta mbyllur këtë çështje, pasi Gëzimi kishte bërë denoncim në polici. Në takimin që ne bëmë me Altinin dhe G, Altini pretedonte se mjeku i kishte lekë borxh. Meqënëse mjeku i kishte bërë denoncim në polici për shqetësimet që i kishte bërë Altini, ne, bashkë me Toninin, i kërkuam mjekut që të bëjë tërheqjen e denoncimit. Kjo pasi Altini ishte i sëmurë dhe të mos penalizohej. Këtë e kërkonte edhe vetë Altini.

– Në prezencën time, Tonin Çokut dhe inspektorit të policisë, Altini Çoku ka deklarauar se nuk i kishte ndonjë borxh Gëzimi, as në vlerë monetare, as morale. Deklaroi se nuk do të kishte probleme me mjekun dhe nuk do ta shqetësonte më në punën e tij. Për këtë ka bërë edhe një deklaratë me shkrim dore, ku kemi firmosur edhe unë me Tonin Çokun si të pranishëm.

-Mua mjeku, më ka thënë se  Altini, ka shkuar tek puna e tij, nuk e ka lënë që të punojë duke i kërkuar lekë. Unë nuk kam dijeni nëse Altini i kishte marrë lekë. …Altini pretendonte se i kishte lekë borxh G., por duke marrë parasysh se Altin Çoku, ishte i sëmurë mendor, unë nuk mund të marr parasysh fjalët e tij. Ne kemi hyrë në këtë mes, me qëllim për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të mos e çuar punën më tej. Nuk kam dijeni nëse kishin borxhe me njëri tjeterin Altini dhe mjeku”.