Është firmosur në Tiranë marrëveshja për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, si pjesë e Korridorit VIII, që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit.
Nënshkrimi u bë nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku dhe drejtori i Bankës Europiane për Investime.
Marrëveshja për ndërtimin e kësaj nyje hekurudhore parashikon 90 milionë Euro nga Banka Europiane e Investimeve, sipas Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Nënshkrimin e kësaj marrëveshje 90 milionë Euro me Bankën Europiane të Investimeve për të rindërtuar hekurudhën ndërmjet Portit të Durrësit dhe Rrogozhinës, si pjesë e korridorit VIII. Ky projekt do të sjellë punë të reja, vende të reja pune”, u shpreh Kaja Kallas.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se në 5 vitet e ardhshme sistemi hekurudhor do të kthehet në binarët e duhur dhe modern.
“Nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore. Kjo është arsyeja se përse ky 5-vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade, do jetë edhe një 5-vjeçar ku do kthehen hekurudhat në Shqipëri, kuptohet në një nivel tjetër nga çfarë ishim”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa zv/Kryeministrja Belinda Balluku nënvizoi se Durrës-Rrogozhinë pritet të finalizohet në vitin 2028.
“Durrës-Rrogozhinë, e cila parashikohet të dorëzohet si vepër në vitin 2028. Një rrugëtim i cili do të bashkohet dhe do të ndërlidhet dhe me hapat e tjerë që kemi hedhur për korridorin e tetë siç është autostrada”, tha Balluku.
Marrëveshja financiare me Komisionin Europian, krijon mundësinë për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, si pjesë e Korridorit të VIII, ndërsa vlera totale e investimit shkon në 120,5 milionë Euro.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri.