Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin, festa më e rëndësishme e këtij komuniteti, ose siç njihet ndryshe edhe Bajrami i Madh. Mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit në orën 06:55 në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.
Mesazh i kreut të KMSH shkoi për të rinjtë, të cilëve u bëri thirrje që të mos e braktisin vendin, por të punojnë në atdhe për ta bërë atë më të mirë e të begatë.
“U bëj thirrje të rinjve, mos e braktisni vendin tonë. Rezistoni përballë çdo vështirësie. Prindërit, shoqëria, Shqipëri ka nevojë jetike për ju. Qëndroni në vendin tuaj dhe punoni për ta bërë atë më të mirë dhe më të begatë”, tha Spahiu.
Spahiu tha se familja shqiptare nuk po jeton ditët më të mira. Mesazhin e tij e përqndroi edhe tek dhuna në familjes, ku bëri thirrje që të ndalet dhuna ndaj grave, për të cilat tha se janë bërthama e familjes dhe shoqërisë.
Koha në të cilën po jetojmë na ka vënë përballë sfidash të shumta. Familja nuk po përjeton ditët e saj më të mira. Dhuna brenda saj është një fenomen që të trazon shpirtin. Njerëzit që kanë humbur durimin i bëj thirrje që të ndalin agresivitetin dhe të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer nga e mbara nga rruga e Zotit. Mos i prekni gratë, ato janë shpirti i bërthamës së shoqërisë, familjes. Po jetojmë në një kohë krize morale, që kërkon përkushtim, besim te zoti për t’ tejkaluar ato.
Fenomene si migracioni dhe ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen. Ti kushtojmë rëndësi bashkëpunimit e harmonisë, të punojmë për të ecur para që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e rinisë, dëshirat e prindërve. Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme”, tha Spahia.
Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.