Besimtarët myslimanë në Durrës morën pjesë sot në faljen e Fitër Bajramit, festës më të rëndësishme të këtij komuniteti.

Ata kryen faljen e namazit në orën 07:30 në në ambientet e brendshme dhe të jashtme të xhamisë së madhe të qytetit, por edhe në xhamitë e tjera të Durrësit, ku besimtarët u mblodhën për të kryer këtë rit të rëndësishëm fetar.

Pas faljes së Fitër Bajramit besimtarët përcollën urimet më të mira për këtë ditë të shënuar të besimit islam.

Imami i xhamisë, Ervin Qylafku tha: “Fitër Bajrami simbolizon rikthimin në normalitet, pasi agjëruesit rikthehen në programin ushqimor që ndiqnin para nisjes së agjërimit. Është një lloj stacioni, pasi pas një aktiviteti të gjatë shpirtëror merr pak pushim dhe i rikthehemi përsëri ciklit të jetës, derisa të përfundojmë tek stacioni i përhershëm, që është në botën e përtejme, ku takojmë Zotin dhe njihemi me shpërblimet që ka ofruar për besimtarët për impenjimin që kanë bërë gjatë këtij muaji”.

Edhe stafi i “DurrësLajm” iu uron të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!