Fitimi i sektorit bankar u rrit edhe për muajin maj dhe rezultati i 5-mujorit të parë ngelet dukshëm në nivelet më të larta historike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto për 5-mujorin janar-maj arriti në 11.6 miliardë lekë, në rritje me 106% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet në rritje po reflektohen edhe në përmirësimin e dukshëm të treguesve të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali i sektorit, i mesatarizuar me bazë vjetore, u rrit në 15.07%, nga 7.54% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet është në nivelin 1.49%, nga 0.85% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Shifrat bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore.
Rritja e fitimeve edhe gjatë këtij viti duket të jetë kryesisht rezultat i zgjerimit të bazës së aktiveve dhe rritjes së normave të interesit, që kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave të bankave tregtare.
Nga ana tjetër, cilësia e portofolit të kredisë deri tani nuk ka shënuar një përkeqësim shumë të rëndësishëm. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në muajin maj raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 5.23%.
Ky nivel paraqitet më i lartë krahasuar me nivelin prej 5% të fundit të vitit të kaluar, por sidoqoftë jo në ato përmasa sa të ndikojë negativisht rezultatin financiar, për shkak të rritjes së shpenzimeve për provigjione. Deri tani, rritja e raportit të kredive me probleme ngelet më e ulët në raport me parashikimet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare.
Megjithatë, nëse raporti i kredive me probleme do të vazhdojë të rritet, Banka e Shqipërisë mund të miratojë disa lehtësi të përkohshme rregullatore, që do të nxisin ristrukturimet e hershme të kredive.
Deri tani, ekonomia shqiptare duket se i ka rezistuar mirë inflacionit të lartë dhe fazës së parë dhe më delikate të rritjes së normave të interesit. Për tremujorin e parë të vitit, rritja ekonomike u ngadalësua në 2.7%, nga 4.4% që kishte qenë rritja në tremujorin e fundit 2022, por megjithatë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare janë ndjeshëm më të larta në raport me stanjacionin ku ka rënë ekonomia e Eurozonës. MONITOR